Janë rreth 8 000 pjesëtarë me uniformë të Policisë së Kosovës të cilët nuk kanë ende sigurim shëndetësor dhe jetësor.
Zëvendëskryetarja e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se kërkesa për sigurime shëndetësore ka hasur në vesh të shurdhër nga institucionet.
Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e punës së policëve, drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës (ShSK), Sami Mazreku, ka apeluar që sa më shpejt të gjenden alternativa për këtë çështje.
“Ka qenë kërkesë e jona e kamotshme që Policia e Kosovës të ketë sigurime shëndetësore dhe jetësore, mirëpo ende kërkesa jonë nuk ka marrë përgjigje. Kemi bërë kërkesë në Qeveri për sigurime në kuadër të punës që po bëjmë, mirëpo deri më tani nuk kemi asnjë përgjigje. Kemi kërkuar sigurime alternative derisa të hyjë në fuqi Ligji për sigurime shëndetësore. Në takimet e fundit kishte shumë variabla që të bëhet sigurimi jetësor dhe aksidental, mirëpo jo edhe sigurimi shëndetësor. Në Policinë e Kosovës janë 8 700 punonjës pa sigurime shëndetësore, kurse në uniformë janë 8 000 pjesëtarë”, ka bërë me dije Kamberi. /Epoka e Re/Telegrafi/