Site icon Telegrafi

Kërkohet sërish rikonstruimi i vrasjes në Restorantin ‘Shega’

Tri vjet më parë, në restorantin “Shega” u vranë Naim Gërvalla e Lutfi Saraçi, e u plagosën rëndë babë e bir, pronarë të këtij restoranti, tani të akuzuar.

Për shkak të ndërrimit të kryetarit të trupit gjykues, avokatët e të akuzuarve Besim e Besart Istrefi kërkuan rikonstruimin e pjesshëm ose të tërësishëm të vendit të ngjarjes apo rikapitulim të rikonstruimit të mëparshëm “me qëllim që të gjendet e vërteta materiale se çfarë ka ndodhur në ditën kritike”.

Në restorantin “Shega” në Milloshevë të Obiliqit më 2 maj 2014 pas një mosmarrëveshjeje të çastit ishin vrarë Naim Gërvalla e Lutfi Saraçi, ndërsa kishin mbetur të plagosur rëndë pronari i restorantit Besim Istrefi dhe djali i tij, Besarti, të cilët janë të akuzuar në këtë rast.

I akuzuari Besim Istrefi ka mbetur në karrocë që nga nata kritike për shkak të plumbit, i cili i kishte dëmtuar shtyllën kurrizore.

Në seancë, i akuzuari pati ankesa për mostrajtim të duhur në raport me gjendjen e tij shëndetësore.

Ai tha se as mjeti i transportit nga burgu për në Pallat të Drejtësisë nuk është adekuat.

Prandaj, trupit gjykues iu kërkua që të sigurohet automjeti i përshtatshëm në mënyrë që gjendja e tij të mos përkeqësohet.

Më tutje, avokati i Besim Istrefit, Ali Beka, kërkoi nga trupi gjykues që mbrojtësit të tij të marrë trajtimin e nevojshëm së paku në QKUK.

Në këto kushte, avokati kërkoi nga Gjykata ta ndërprejë masën e paraburgimit për klientin e tij, sepse, sipas tij, nuk ekziston asnjë rrethanë se përse duhet të qëndrojë në paraburgim, e sidomos në kësi gjendje shëndetësore.

E një kërkesë e tillë nuk u kundërshtua as nga prokurorja Merrushe Llugiqi, e cila potencoi se i lë në dorë trupit gjykues të vendosë se a sheh të arsyeshme vazhdimin e masës së paraburgimit apo jo.

Kërkesë për ndërprerjen e masës së paraburgimit pati edhe i akuzuari tjetër, Jeton Saraçi, i cili deklaroi se nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

“Qe 26 muaj më kanë dërguar nëpër të gjitha burgjet e Kosovës. Ju garantoj se nuk e kam kryer këtë vepër penale për të cilën akuzohem sepse nuk kam fyer njeri, nuk kam rrahur dhe të vetmin veprim të cilin e kam bërë natën kritike – kam ikur që ta shpëtoj shpirtin tim. Këtë e kanë vërtetuar edhe ekspertizat. Jam i maltretuar dhe jam mbajtësi i vetëm i familjes, andaj kërkoj nga ky trup gjykues që të ma ndërprejë masën e paraburgimit”, tha i akuzuari.

Pastaj, trupi gjykues mori aktvendim që të refuzohen të gjitha propozimet për ndalimin e kësaj mase si dhe të shikohet në ndërkohë se a ka kushte adekuate për trajtimin e gjendjes së të akuzuarit Besim Istrefi.

Sa i përket rikonstruimit të vendit ku humbën jetën dy persona, trupi gjykues do të vendosë në seancat e radhës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 10.03.2015 ka ngritur aktakuzë ndaj Besim e Besart Istrefit për vrasje të rëndë.

Besartin prokuroria e ngarkon edhe me veprën penale armëmbajtje pa leje.

Në këtë proces i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim të dokumenteve është edhe Jeton Saraçi. /Kallxo.com/

Exit mobile version