Site icon Telegrafi

Kërkohet rregullatori i çmimit të naftës

Rifiskalizimi duhet të bëhet dhe duhet të jetë prioritet i Shoqatës së Naftëtarëve. Por ky rifiskalizimi duhet të bëhet me çmime si në regjion. Ndërsa, rregullatori i çmimeve duhet të jetë prioritet për vitin që vjen. Kështu u tha në mbledhjen e Kuvendit të Shoqatës së naftëtarëve, ku u paraqiten dhe prioritete e kësaj shoqate për vitin 2015-të.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu tha se duhet të punohet në promovimin e biznesit me derivate të naftës, në përmirësimin e ambientit biznesor dhe në ndryshimin e perceptimit sa i përket punës dhe kërkesave të këtyre kompanive.

“Në përmirësimin e ambientit biznesor dhe në ndryshimin e perceptimit sa i përket punës dhe asaj që ju e kërkoni. Në qoftë se jeni për fiskalizim, në qoftëse jeni për cilësi të naftës dhe në qoftëse kërkoni një rregullator të çmimit të naftës, bazuar në krijimin e rezervave shtetërore, besoj që është një obligim moral, i cili na obligon të gjithëve që të jemi bashkërisht. Sepse këto kërkesa nuk kanë të bëjnë vetëm me shoqatën por kanë të bëjnë me Kosovën dhe imazhin e saj. Prandaj, do të keni mbështetje në çdo kohë. Sepse janë mu ato që ne i kërkojmë. Janë arritur vërtet me presion rezultate pozitive, qoftë në uljen e çmimit, qoftë në krijimin e mundësive të reja, por duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk kemi arsye për vetë kënaqësi”, tha ai.

Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve tha se prioritet për vitin 2015-të, mbetet formimi i rregullatorit të çmimeve, cilësia gjatë importit në kufi, largimi i trupave inspektues, kërkesa që rezervat shtetërore të ndahen në mënyrë të barabartë, si dhe zgjatja e licencave që ato të jenë dhjetë vite, e më pas të përhershme.

“Sa i përket fiskalizimit ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër rifiskalizimit. Por ne kemi kundërshtuar çmimet e larta dhe monopolet e krijuara. Rreth rifiskalizimit kemi arritur që tani t’i kemi në prag dy kompani rreth licencimit, ku janë në procedurë e sipër. Shpresojmë se me hyrjen e tyre në treg, çmimet do të jenë shumë më të lira”, tha ai.

Përfaqësues të kompanive të derivateve të naftës, kërkuan që prioritet t’i ipet rregullatorit të çmimeve. /Telegrafi/

Exit mobile version