Site icon Telegrafi

Kërkohet rikthim i menjëhershëm në dialog dhe përfshirja e Macronit e Scholzit në proces

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 22 qershor në Bruksel u takuan me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, por jo edhe me njëri-tjetrin.

Sipas Qeverisë së Kosovës, nuk pati takim trilateral siç ka ndodhur zakonisht, për shkak se pala tjetër ka refuzuar një gjë të tillë.

Nga ekzekutivi në një përgjigje me shkrim për Telegrafin kanë thënë se Kosova asnjëherë nuk është larguar nga tryeza e dialogut dhe se sa herë BE-ja t’i ftojë për takime në kuadër të këtij procesi, do t’i përgjigjen pozitivisht.

ʺAtë ditë nuk pati takim trilateral për shkak se Serbia nuk ishte e gatshme për një të tillë. Kosova nuk është larguar nga tryeza e dialogut për të pasur nevojë që të rikthehet. Sa herë të na ftojnë, ne shkojmë, siç kemi bërë tash e mbi dy vjetʺ, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Përparim Kryeziu

Ai ka ritheksuar se zbatimi i plotë, i shpejtë e pa kushte i Marrëveshjes Bazike në Bruksel dhe Aneksit të saj sipas dakordimit në Ohër janë rruga për ecur përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

E njohësit e rrethanave politike në vend thonë se rikthimi i palëve në dialog është i domosdoshëm, sidomos pas lirimit të tre policëve.

ʺPres që palët shumë shpejt të ballafaqohen me një takim trilateral, por kjo do të varet tani nga Kosova se sa është e gatshme t’i pranojë tri kërkesat e SHBA-së dhe BE-së. Kjo pasi në njëfar forme plani djallëzor i Serbisë me rrëmbimin e policëëve ka qenë që të duket si pala që e de-eskaloi situatën e para, dhe ta vë Kosovën në një situatë të palakmueshme pra ndërkombëtareve. Nese nuk ka takime atëherë situata do të jetë e pashpresë për të gjithëʺ, tha për Telegrafin profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi.

Dritëro Arif.

Sipas tij, në formatimin e deritanishëm të dialogut, nuk është parë asnjë rezultat i prekshëm.

Ndaj, Arifi tha se përfshirja e fuqishme e Gjermanisë dhe Francës mund të sjell rezultate më të favorshme në terren.

ʺDhe gjithsesi duhet të ketë kornizim kohor dhe tematik të dialogut. Në të njëjtën kohë, BE-ja duhet të hapë një dialog me Kosovën për njohje të reja. Nëse nuk ka njohje nga Serbia, atëherë duhet të ketë njohje nga pesë vendet mos-njohëse të BE-së. Kjo të paktën do ta relaksonte rajonin për një kohë të shkurtër. Nuk mundet Serbia të priviligjohet dhe të pritet pafundësishtʺ.

 

Se palët duhet të iu kthehen me seriozitet tryezës së bisedimeve e vlerëson edhe analisti Gazmir Raci.

Sipas tij, është momenti i fundit kur palët duhet të zbatojnë të gjitha obligimet e dala nga marrëveshjet e arritura deri tani.

ʺËshtë momenti i fundit kur palër duhet të iu kthehen me seriozitet bisedimeve për t’i zbatuar të gjitha oblgimet që kanë dalë deri tani, sigurisht nëse dëshirojnë që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian e Kosova ta hapë përspektivën për anëtarësim në NATO e në organizata të tjera ndërkombëtareʺ, deklaroi Raci për Telegrafin.

Ai tutje tha se mes palëve është krijuar një mosbesim i cili duket se është shumë i thellë, ndaj theksoi se do të ishte mirë që presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz ta drejtojë procesin e dialogut drejt finales.

ʺGjermania dhe Franca janë faktori kryesor garantues për zbatimin e Marrëveshjes së fundit bazë për normalizimin e marrëdhënieveʺ, përfundoi Raci.

Gazmir Raci

Ndryshe, kryeministri Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike të hënën me Sekretarin amerikan, Antony, i cili ka kërkuar de-përshkallëzimin e situatës në veri dhe kthimin e menjëhershëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. /Telegrafi/

 

Exit mobile version