Site icon Telegrafi

Kërkohet që Kosova të krijojë ligjin për trajtimin e gjobave dhe borxheve pas pandemisë së COVID-19

Mbarëvajtja e procesit të aplikimeve për kompensim nga Ministria e Financave, roli i Administratës Tatimore të Kosovës mbi mbledhjen dhe shqyrtimin e aplikimeve, ndikimi që ka pasur pandemia COVID-19 mbi operacionet e ATK-së si dhe sugjerimet për të ardhmen, ishin ndër pikat e diskutuara në forumin e radhës virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se në një takim virtual me Këshillin Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik, oda ka propozuar krijimin e një ligji të veçantë pas pandemisë, i cili do të zgjidhte çështjen e gjobave të mundshme që do të krijohen gjatë kësaj periudhe por edhe faljen, trajtimin më të mirë të borxhit të akumuluar dhe interesave ndëshkimore që mund të krijohen në këtë kohë.

Sipas Zekës, një kërkesë e tillë do të duhej të merrej parasysh meqë në fund të fundit ruajtja e shëndetit të mirë të ndërmarrjeve dhe niveli i garantuar i të hyrave të shtetit është në interesin e të gjithëve.

Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, theksoi se për agjencinë pandemia ka ndikuar negativisht në kufizimin e aktiviteteve të planifikuara për këtë vit, e rrjedhimisht edhe në aspektin e të hyrave.

Sipas tij është e vështirë të merret një pasqyrë e saktë e ndikimit që pandemia ka pasur mbi ekonominë e vendit, sidomos për shkak se janë marrë tre vendime radhazi lidhur me zgjatjen e afatit për deklarim dhe pagesë të tatimeve.

Ai shtoi se vendimi i fundit është marrë me qëllim që bizneset t’u shmangen kalkulimit të interesit dhe që ndërmarrjet në vështirësi financiare të kenë mundësi që sa më parë t’i përfundojnë pagesat e detyrimeve, e megjithëse është apeluar që të njëjtit që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, nuk është hasur në ndonjë fluks të aplikimeve për marrëveshje.

Për më tepër, Murtezaj foli edhe mbi përgjegjësinë e ATK-së për ofrimin e vërtetimeve tatimore, përmes të cilave u është mundësuar liria e lëvizjes punëtorëve, duke shtuar se këto vërtetime janë azhurnuar disa herë konform rregullave të caktuara nga Qeveria dhe përmes kësaj platformë janë lëshuar mbi 5000 vërtetime brenda pak minutash.

Murtezaj mes tjerash përmendi se ka ngritur çështjen e hapjes së një pike kontakti për të dhënë sqarime nga zyrtarët shtetërorë për komunitetin e biznesit.

Remzi Uka, kryeshef ekzekutiv dhe Drejtor i Departamentit të Tatimeve në kompaninë e shërbimeve financiare AFAM Group, tha se një nga vështirësitë më të mëdha me të cilën janë ballafaquar bizneset gjatë kësaj kohe ka qenë mungesa e qartësimit mbi lejet e qarkullimit, sidomos për bizneset të cilave masat mbrojtëse ua kanë ndaluar tërësisht operimin.

Tutje, ai foli edhe për kompensimet nga Pako Emergjente Fiskale duke theksuar se si pasojë e çrregullimeve të veprimtarive të institucioneve dhe kufizimit të lëvizjes, regjistrimi i aplikuesve për pakon emergjente ka qenë i vështirë, e kjo është dëshmuar sidomos në rastet kur vetëm një pjesë e stafit të kompanive ka marrë kompensim.

Një çështje tjetër e ngritur nga Uka ishte edhe aplikimi për marrëveshje të pagesës me këste, për të cilën sugjeroi se në vend të 7 kësteve për pagesë të tatimeve, bizneseve duhet t’u jepet mundësia edhe për 12 apo në disa raste më të rënda edhe 24 këste nëse vlera është e madhe. /Telegrafi/

Exit mobile version