Ligji për OJQ i miratuar nga Kuvendi më 7 nëntor 2018 shkel parimin bazë jo-për-përfitim dhe rrezikon të ardhmen e sektorit.
Pas kthimit nga Presidenti dhe më tepër se pesë muajsh pritje dhe shtyrje, Ligji për OJQ do të jetë në rend të ditës të Kuvendit të Kosovës të enjten më 11 prill. Deputetët e Kuvendit nga të gjitha partitë politike pritet që ta votojnë këtë ligj sipas kërkesave të shoqërisë civile.
Rreth 300 organizata të shoqërisë civile janë bashkuar për të parandaluar siç thonë këto organizata, rrezikun që i kanoset sektorit të shoqërisë civile dhe demokracisë kosovare nga ky ligj.
Të gjitha grupet parlamentare, por edhe deputetët individualisht, tashmë janë të njoftuar në detaje lidhur me problemet e këtij ligji të paprecedentë në Evropë dhe më gjerë, dhe me pasojat që mund të shkaktohen nëse nuk kthehen dispozitat e drejta.
Javën e kaluar, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, u bëri thirrje të gjitha partive politike që të votojnë Ligjin për OJQ sipas amandamenteve të propozuara nga Presidenti, duke theksuar që kjo çështje nuk ka të bëjë aspak me politikë, por me sigurimin e transparencës dhe parandalimin e keqpërdorimit të fondeve të donatorëve. Thirrje të ngjashme në vazhdimësi kanë bërë edhe ambasadorët e vendeve të tjera të Quintit dhe BE-së, si dhe organizatat tjera ndërkombëtare.
Në rast që nuk votohen kërkesat e shoqërisë civile, ky ligj do të mundësojë që qindra miliona euro të pasurisë së përbashkët të OJQ-ve t’u falen bizneseve private. Gjithashtu, Ligji do të mundësojë mbylljen arbitrare të OJQ-ve nga shteti, në kundërshtim me lirinë e asocimit të sanksionuar në Kushtetutë.
Organizatat e shoqërisë civile presin nga partitë politike që t’u përmbahen përkushtimeve të tyre publike dhe të parandalojnë këto pasoja, duke marrë pjesë në votimin e të enjtes dhe duke votuar PËR kërkesat e shoqërisë civile. /KP/Telegrafi/