Site icon Telegrafi

Asociacioni i Komunave kërkon pezullim të vendimit për ri-vlerësimin e pronave dhe të mos ketë rritje të tatimit

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga Ministria e Financave, Transfereve dhe Punës (MFTP) që vendimi për ri-vlerësimin e pronave të pezullohet dhe që qytetarët e Republikës së Kosovës të paguajnë vlerën e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, ashtu siç e kanë paguar në vitin 2022.

Sipas një njoftimi thuhet se bordi i AKK-së nuk është pro rritjes së tatimit në pronë.

Nga ASK-ja thonë se komunat nuk kanë pasur rol në ri-vlerësimin e pronave e as në ngritjen e faturave për tatimin në pronë për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Lexo po ashtu Tatimi në pronë, Murati: U takon komunave të tregojnë se çfarë duan të bëjnë, të gatshëm të mbështesim çfarëdo kërkese për ulje të tatimit

“Arsyet që shtyjnë bordin e AKK-së për ta shtruar kërkesën për pezullimin e vendimit për ri-vlerësimin e pronave dhe përse janë kundër çdo ngritje të vlerës së tatimit në pronë janë të shumta si në vijim: rrethana të vështira ekonomike për qytetarin e Republikës së Kosovës, shkalla e inflacionit është dy-shifrore, shtrenjtim të çmimeve të produkteve bazë dhe produkteve të tjera, niveli i pagave i pandryshuar për vite të tëra, ndikim i drejtpërdrejtë në rëndimin/varfërimin e shportës për qytetarin, ri-vlerësimi i pronave nga MFTP ka ndikuar që faturat e tatimit në pronë të kenë një kosto shumë të lartë, rritja e lartë e faturës për tatim në pronë në rrethana të rënduara ekonomike do e vështirësojë inkasimin e të hyrave nga tatimi në pronë”, thuhet në njoftim.

Bordi po ashtu, siç bëhet e ditur në njoftim ka kërkuar të ketë takime dhe konsulta të mirëfillta me komunat në mënyrë që të gjenden mënyrat më të mira për një ri-vlerësim të ri të pronës.

|Bordi i AKK bën me dije që Komunat e Republikës së Kosovës nuk mund të falin tatimin në pronë sepse kjo nuk është kompetencë e komunave, në të kundërtën kërkojmë nga MFTP të krijojë infrastrukturë ligjore ku do u’a mundësojë komunave faljen e tatimit në pronë bazuar në vendime të Kuvendit të Komunës. Për fund, Bordi i AKK-së kërkon që sa më shpejtë të procedohet Projekt-Ligji i ri për tatimin në pronë për miratim në Qeveri të Republikës së Kosovës dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në njoftim të ASK-së. /Telegrafi/ 

Exit mobile version