Partia Socialiste ka dorëzuar në Byronë e Kuvendit kërkesën për përjashtim me 10 ditë të deputetit demokrat, Sali Berisha për thirrjet që ai bëri për armatosjen e qytetarëve në seancën e kësaj të enjteje.
Në kërkesë, socialistët thonë se është shkelur Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë në tre nene të tij. Përkatësisht, sipas maxhorancës, është shkelur neni 222, ku “për thirrje për armatosje kundër rendit kushtetues”, nenit 223 “për thirrjet e bëra publikisht për vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues” dhe nenit 233 “krijimi i turmave të armatosura për t’iu kundërvënë rendit publik me qëllim ngjalljen e frikës dhe të pasigurisë në popull”, transmeton tch.
“Në vlerësimin tonë këto thirrje hyjnë në përcaktimet ligjore të thirrjeve për dhunë, të cilat parashikohen në bazën ligjore të sipërcituar. Për këtë qëllim, kërkojmë mbledhjen e Byrosë së Kuvendit për marrjen në shqyrtim të kësaj kërkese dhe dhënien e masës disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare deri në 10 ditë”, thuhet në kërkesën e socialistëve.