Ekspertët në Maqedoni thonë se nevojitet formimi i një trupi të veçantë të pavarur i cili do të ketë për detyrë të hetojë në më shumë dimensione lëshimet e drejtuesve të institucioneve të caktuara për mospastrimin e kanaleve, mungesën e rrjetit të kanalizimit në viset rurale si dhe mosparalajmërimin me kohë për motin e ligë dhe mbi të gjitha të tregojnë qartë se cilët ishin shkaqet që çuan në në një numër kaq të lartë prej 22 viktimash si pasojë e vërshimeve.
Mirjana Najçeska nga nga Fakulteti Juridik në Shkup, thotë se trupi i pavarur i përbërë nga ekspertët duhet të inspektojë jo vetëm veprimet e qeverisjes aktuale, por shumë më thellë duhet të gërmohet puna e drejtuesve të dikastereve të caktuara ministrore dhe ajo se si janë shpenzuar mjetet që kanë të bëjnë me planifikimin hapësinor.
“Gjatë katastrofave me përmasa kaq të mëdha dhe numër shumë të madh të viktimave, shfaqen indicje se janë bërë lëshime në shumë segmente në shumë institucione, andaj ky trup i pavarur i ekspertëve duhet të inspektojë në formë të detajuar punën e institucioneve për disa vite me radhe gjatë së kaluarës”.
“E theksoj se nuk mund të jenë shkak për një numër kaq të madh të viktimave nga shirat e rrëmbyeshëm të cilat për vite janë të pranishme në Maqedoni, prandaj e theksoj është e pakuptimtë që edhe pas kësaj që ndodhi asnjë drejtues i institucioneve ose ministër nuk jep dorëheqje qoftë për arsye morale duke pasur një numër kaq të madh të viktimave”, thotë Najçeska.
Ndërkaq Osman Kadriu njohës i çështjeve juridike, thotë se Prokuroria e Maqedonisë duhet të kërkojë përgjuesi penale ndaj drejtuesve të institucioneve të caktuara të cilët kanë kontraktuar dhe ata që kanë realizuar punimet në autostradë ku humbën jetën numër i madh i viktimave si rrjedhojë e bartjes së automjeteve nga uji jashtë korsive të autostradës.
Ai thotë se organet komunale duhet të bartin përgjegjësi për nderimet e pa sistemuara, mungesën e kanalizimeve, si dhe funksionimin e kanaleve joadekuate dhe jocilësore.
“Përgjegjësia penale është shumë vështirë për tu konstatuar veçanërisht në këto rrethana në të cilin ndodhet sistemi gjyqësor i cili është tërësisht i kontrolluar dhe dirigjohet nga politika”, vlerëson Kadriu.
Ndryshe në vendbanimet e vërshuara pritet që menjëherë pas tërheqjes së ujit nga shtëpitë e përmbytura të fillohet me vlerësimin e dëmeve materiale.
Kryqi i kuq i Maqedonisë, ka bërë të ditur se janë ndihmuar mbi 5 mijë familje në zonat e përmbytura.
Ndërkohë, ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa duke shpërndarë pakon e parë të ndihmave që vijnë nga Kosova për banorët e vendbanimeve të vërshuara, se autoritetet kosovare mbeten të hapura për të ndihmuar qytetarët që pësuan nga vërshimet.
“Të mërkurën isha në Prishtinë me ftesë të kryeministrit të Kosovës dhe me këtë rast, jam takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe me kryeparlamentarin, të gjithë janë shumë të interesuar dhe të shqetësuar për gjendjen Maqedoni dhe sot jemi dakorduar që të fillojmë me ndarjen e ndihmave nga komuniteti i biznesit”, ka deklaruar Hysa.