Site icon Telegrafi

Kërkohet paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e të riut në Viti

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurit B.R. i dyshuar për vrasjen e djeshme në Viti.

Kështu thuhet në komunikatën për medie, ku po ashtu bëhet e ditur se ai dyshohet se ka kryer veprat penale ‘’Vrasja e rëndë’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri B.R., më 13 Korrik 2021, rreth orës 11h, me dashje, ka privuar nga jeta tani të ndjerin A.R., në atë mënyrë që pas një konflikti fizik në mes të pandehurit dhe viktimave A.R. dhe B.B., i pandehuri ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre, me ç’rast tani i ndjeri A.R., nuk iu ka mbijetuar plagëve dhe ka ndërruar jetë, ndërsa i dëmtuari B.B., për shkak të lëndimeve ka kërkuar tretman mjekësor”, thuhet në komunikatë.

I pandehuri B.R. me vendim të prokurorit të shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.

Ndryshe, paraditen e së martës një vrasje e rëndë ndodhi në Viti, ku humbi jetën një i ri.

Babai i të vrarit në Viti, Isa Rama ka folur për ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë sot djali i tij, Arbnori.

Babai i tij, Isa Rama, tha se djali i kishte ardhur para katër dite në Kosovë, dhe se kishte punuar me vëllain e dorasit. /Telegrafi/

Exit mobile version