Site icon Telegrafi

Kërkohet paraburgim për të dyshuarin për tentimvrasje në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të dyshuarit me inicialet S.A., nga komuna e Lipjanit, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasje në tentativë”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 17 janar 2020, rreth orës 04:20h pas mesnate, në fshatin Babush, komuna e Ferizajt, përkatësisht në kafiterinë “Berlini”, i pandehuri me dashje ka tentuar që ta privoj nga jeta të dëmtuarin K.I., ashtu që pas një mosmarrëveshje mes tyre, nxjerr revolen e kalibrit 7.72mm, me të cilën shtie gjashtë herë në drejtim të tij, duke e goditur me një plumb në këmbën e djathtë.

Gjithashtu, i pandehuri S.A., në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka poseduar pa autorizim revolen e kalibrit 7.62mm, e cila është sekuestruar nga ana e policisë, me të cilën do të kryente veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

I pandehuri S.A., gjendet nën masën e ndalimit që nga 5 marsi 2020, ndërsa sot pritet që të mbahet seanca e paraburgimit para gjyqtarit të procedurës paraprak. /Telegrafi/

Exit mobile version