Site icon Telegrafi

Kërkohet paraburgim për drejtorin e Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi dhe një tjetër personi.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Në komunikatë thuhet po ashtu se të dyshuarit gjenden në masën e ndalimit prej 48 orëve.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personave me inicialet L.K., dhe M.B., në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në drejtim të veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së, “Ushtrimi i ndikimit”, nga neni 424 të KPRK-së, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 380 të KPRK-së dhe “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”, nga neni 377 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje për arrestimin e zyrtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se të arrestuarit janë një mashkull dhe një femër, të cilët dyshohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në raportin policor bëhet e ditur se të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Një ditë më parë është arrestuar drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqi dhe një zyrtare. /Telegrafi/

Exit mobile version