Telegrafi

Kërkohet paraburgim ndaj tre personave lidhur me rastin “Brezovica”

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj të pandehurve B.H., A. Ç., dhe I.A, të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri A.Ç., si person zyrtar-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe persona tjerë, me këtë do të kryente veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 të KPRK-së.

Lexo po ashtu Ish-sekretari, Arben Çitaku dhe kryeinspektori Bedri Halimi, dy zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit të arrestuar gjatë operacionit “Brezovica”

I njëjti sipas Prokurorisë ka pranuar para me qëllim që të veproj në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 par.2 lidhur me nen 31 të KPRK-së.

Ndërsa, për të pandehurin tjetër B.H., ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti si person zyrtar- kryeinspektor i Inspektoratit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, tani MEA, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe persona tjerë, me këtë do të kryente veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 të KPRK-së.

Lexo po ashtu Operacioni “Brezovica” – gjithçka nga operacioni i së enjtes ku u arrestuan 10 persona, në mesin e të cilëve dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit

Ndërsa, për të pandehurin tjetër I.A., ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti, i ka dhënë para personit zyrtar që të veproj në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 par.3 të KPRK-ës dhe veprë​n penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.1 të KPRK-së. /Telegrafi/