Telegrafi

Kërkohet nga Volkswagen të prodhojë vetura elektrike për të tejkaluar skandalin

Autoritetet amerikane kanë kërkuar nga gjiganti automobilistik gjerman, Volkswagen, që të prodhojë vetura elektrike për të shpëtuar nga skandali i emetimit të gazrave.

Agjencia për Mbrojtje të Ambientit në SHBA (EPA) është në bisedime me Volkswagenin me qëllim që të arrijë rregullimin e 600 mijë veturave me naftë që emetojnë 40 herë më shumë gaz sesa që është e limituar.

Sipas burimeve të gazetës WeltamSonntag, EPA ka kërkuar nga VW të prodhojë vetura elektrike në Tennesse dhe të ndihmojë krijimin e stacioneve për mbushje të veturave elektrike në SHBA.

Kërkesa vjen pesë muaj pas skandalit të madh në Amerikë, kur gjiganti evropian ishte gjetur se në 600 mijë vetura ka mashtruar për emetimin e gazrave në testime.

“Bisedimet me EPA-n janë duke vazhduar dhe nuk po komentojmë përmbajtjen apo negociatat”, ka thënë një zyrtar i VW-së, transmeton koha.net.

Si pasojë e skandalit, VW thuhet se ka përjetuar humbjen më të madhe ekonomike në histori.