Telegrafi

Kërkohet drejtësi për viktimat e masakrës në Krushë të Madhe

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi dhe qytetarë të shumtë morën pjesë në shënimin e 23-vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe ku forcat serbe vranë mbi 240 persona, përfshirë edhe gra e fëmijë.

Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij tha se janë duke u angazhuar në vijimësi për të sjellë drejtësi për të gjithë viktimat e luftës në Kosovë.

“Ne nuk përcaktojmë datë të fundit për dhënien e drejtësisë, por jemi të bindur që për këtë duhet të punojmë shumë dhe shpejtë. Ne duhet të ecim shpejt në vlerësimin e sakrificës sonë, dhe të angazhohemi shumë për drejtësi për ne”, tha Kurti.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, po ashtu kujtoi gjithë të vrarët duke thënë që serbët kanë shkelur në mënyrë sistematike të drejtat e njeriut, ndërsa shtoi që dhimbjet do të pakësohen kur të zbardhet fati i të pagjeturve.