Para fillimit të seancës gjyqësore ku pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, po mban aksion simbolik para Gjykatës së Ferizajt.
Protestues me pankarta në duar po kërkojnë dënim maksimal për të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit.
Përfaqësuesja e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Bjeshkë Guri, deklaroi se nuk mund të lejojnë që Marigona të vritet për herë të dytë nga shteti.
“Jemi mbledhur këtu në ditën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut për vrasjen e Marigona Osmanit.
Për të mos lejuar që padrejtësia për Marigonën të vazhdojë edhe për së vdekuri. Jemi mbledhur këtu meqë jemi dëshmitarë që gjykatat në Kosovë kanë amnistuar vazhdimisht burrat që kanë vrarë gratë, duke i lënë të lirë e me dënime shumë të ulëta.
Krivaça dhe Sejdiu e vranë Marigonën me 22 gusht 2021, e sot kur po i afrohemi dy vjetorit të vrasjes së saj nuk mund të lejojmë që ajo të vritet nga shteti për herë të dytë, nuk mund të qëndrojmë të qeta derisa kjo gjykatë e çdo institucion tjetër shtetëror të rreshtohet në anën e grave”, tha ajo.
Guri shtoi se nga vendimi i sotëm presim dënim maksimal, ani pse janë skeptik për një gjë të tillë.
“Ne kemi theksuar që nga kjo gjykatë duam asgjë më pak së dënime maksimale për Krivaçën e Sejdiun. E nga këtu qojmë mesazhe për çdo institucion që t’i mbrojë gratë para se të jetë shumë vonë edhe prapë theksojmë se shteti duhet ta trajtojë femicidin si urgjencë shtetërore”, shtoi ajo.
Protestuesit do të qëndrojnë para gjykatës deri në shpalljen e aktgjykimit.
Aktgjykimi nga Gjykata Themelore e Ferizajt po shpallet gati dy vjet pas vrasjes së Marigona Osmanit.