Site icon Telegrafi

Kërkimet në Bulqizë, zbulojnë një fortifikim të periudhës së Skënderbeut

Ngjitja deri aty është gati e pamundur edhe kur nuk ka ushtri që ta ruajnë. Një kodër rreth njëmijë metra mbi nivelin e detit, në formën e një koni, në fund të një rrëpire në Valikardh të Bulqizës të cilën banorët e njohin si “Shkëmbi i Kullës së Skënderbeut”, ka tërhequr së fundmi vëmendjen e arkeologëve.

Kodra është përmendur në një buletin arkeologjie në vitet 1950 nga arkeologu i njohur Hasan Ceka, por deri vonë askush nuk ishte interesuar se çfarë gjendej vërtet aty, përveç thesar kërkuesve, vandalizmi i të cilëve i ra menjëherë në sy arkeologut Adem Bunguri dhe arkitektit Elio Hobdari nga Instituti i Arkeologjisë në Tiranë, kur këtë gusht kryen vëzhgime sipërfaqësore në rrënojat që ndodhen në majë të kodrës.

Vëzhgimet dhe matjet e tyre zbuluan rrënojat e një fortifikimi dhe një cisterne e uji, por arkeologët gjetën që ato kishin qenë pre e kërkimeve të thesarkërkuesëve dhe ishin vandalizuar dhe dëmtuar shumë.

“Me atë vëzhgim që bëmë ne, kuptuam se kishim të bënim me përdorimin e një cisterne (vend depozitim uji) nga më modernet që janë përdorur në periudhën mesjetare”, thotë Bunguri.

Rrënojat e një fortifikimi, sipas arkeologut, janë në përmasat e një kalaje të vogël që besohet se i kanë shërbyer Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) në dy betejat e fushës së Vajkalit kundër ushtrive otomane të drejtuara nga Ballaban Pasha. Nga aty është e mundur të kontrollohet hyrja për në fushën e Vajkalit. Sipas historisë, Skënderbeu i përdori fortifikimet për të mos lejuar bashkimin e dy ushtrive osmane, të dërguara njëkohësisht kundër tij, të cilat më pas i mundi veç e veç në Vajkal dhe Kashar të Tiranës.

Arkeologët besojnë se nga gërmimet e thelluara mund të kuptohet më shumë për stragjitë dhe betejat që u zhvilluan në vitet 1464 dhe 1465.

Mësuesi i historisë në Bulqizë, Gazmir Sejdin, thotë se në zonën e Bulqizës deri sot thuajse nuk janë zhvilluar gërmime arkeologjike. Ai shton se zbulimi është një mundësi për kërkime tjera, ndërsa shton se rrënoja të ngjashme si fortifikimi në fjalë janë të rralla “dhe vlerat e tyre kulturore dhe historike duhet të ruhen nga thesarërkuesit. Për të një zbulim i tillë është shumë pak nga ajo se çfarë mban nëntoka e Bulqizës sepse ka qenë qendër e një sërë betejash të Skënderbeut dhe një zonë me rrugëkalime shumë të rëndësishme.

Bunguri thotë se së bashku me arkitektin Elio Hobdari nga Instituti i Arkeologjisë, do të punohet që një zbulim i tillë të futet në listën e zonave të mbrojtura dhe që në të ardhmen të ketë një gërmim shumë më të zgjeruar.

Bunguri tregon se fortifikimet e tilla zgjidheshin nga Skënderbeu për shkak të vështirësive të terrenit dhe pamundësisë së ngjitjes nga ushtritë kundërshtare. Sipas tij, zbulimi i rrit vlerat dhe shton potencialin turistik të zonës, por aty ende mungon sinjalistika dhe nuk ka tabela informuese. /BIRN/

Exit mobile version