Site icon Telegrafi

Shqetësimet e ndërkombëtarëve për ndalimin e dinarit serb, BQK del me 20 sqarime për Rregulloren e re

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka dhënë 20 sqarime në lidhje me Rregulloren e re që hyri në fuqi më 1 shkurt, dhe e cila parasheh përdorimin e euros për pagesat me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb, që përdoret nga serbët që jetojnë në Kosovë.

Departamenti Amerikan i Shtetit, Bashkimi Evropian e ambasadat e QUINT-it në Kosovë kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës në lidhje me këtë Rregullore, duke thënë se kjo do të ketë ndikim tek serbët lokalë që marrin përkrahje financiare nga Serbia. Ata kanë kërkuar që të shtyhet një vendim i tillë dhe të gjendet një zgjidhje praktike në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Lexo po ashtu Ndalimi i dinarit serb - BE reagon për rregulloren e BQK-së e cila pritet të hyjë sot në fuqi

Megjithatë pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve, BQK-ja ka vendosur të ecë përpara me implementim, megjithatë të shtunën ka publikuar disa sqarime duke thënë ndër të tjera se qëllimi i kësaj Rregullore është të avancojë dhe përcaktojë standardet rregullative për realizimin profesional të detyrave të institucioneve financiare në lëmin e operacioneve me para të gatshme.

Po ashtu, ka sqaruar se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës mund të pranojnë ndihmat e tyre financiare, pensionet apo pagat nga Serbia në llogaritë e tyre bankare në euro përmes bankave që operojnë në Kosovë e që janë të licencuara nga BQK-ja.

Lexo po ashtu Lista Serbe: Rreth 100 mijë serbë në Kosovë janë prekur nga vendimi për dinarin

Banka Qendrore në këtë artikull sqarues ka thënë se pasi t’i pranojnë këto të ardhura në euro, secilit qytetar që mund t’i nevojiten në dinarë atëherë mund t’i kthejë ato në këmbimore të licencuar.

Sqarimet e Rregullores janë publikuar në tri gjuhë, shqip, serbisht dhe në gjuhën angleze.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha të enjten se vendimi “i njëanshëm” i Kosovës për ta zbatuar rregulloren e BQK-së ia kufizon mundësitë SHBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

DASH-i i bëri thirrje Kosovës ta shtyjë zbatimin e këtij vendimi “menjëherë”, derisa, siç tha, të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha e tranzicionit.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të zhgënjyera dhe i kundërshtojnë planet e tanishme të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë të dinarit serb”, theksoi DASH.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë të gjatë tranzicioni për largimin nga përdorimi të dinarit serb./Telegrafi/

Exit mobile version