Bisedimet për një armëpushim të mundshëm në Rripin e Gazës kanë ngecur shkaku i kërkesave të reja të Izraelit, konfirmuan burime të shumta diplomatike për reuters.
Siç theksuan ata, Izraeli aktualisht kërkon që ushtria e tyre të jetë e pranishme në Gaza edhe pas nënshkrimit të armëpushimit, gjë që është absolutisht e papranueshme për grupin palestinez Hamas.
Më saktësisht, Izraeli do të mbante trupa në dy korridore, në pjesën qendrore të Gazës dhe në kufirin mes këtij territori palestinez dhe Izraelit. Kjo do të ndalonte në mënyrë efektive lëvizjen e lirë të njerëzve në Gaza.
Bëhet fjalë për korridoret Netzarim dhe Philadelphi, të cilat në thelb do ta ndanin Gazën në dy pjesë, domethënë do të hiqnin kontrollin e autoriteteve lokale mbi të vetmen pikë kufitare të Gazës që nuk të çon në Izrael, por në Egjipt.
Përveç kësaj, Izraeli kërkon kontrollin e plotë të procesit të kthimit të qytetarëve në pjesën veriore të Gazës. Ata besojnë se vetëm “civilët e paarmatosur” mund të kthehen në atë pjesë të territorit dhe se ata duhet t’i kontrollojnë ata përmes korridorit qendror.
Burime të Hamasit i thanë reuters se nuk duan t’i pranojnë këto kërkesa izraelite. Arsyeja për këtë është fakti se ky grup tashmë ka pranuar planin e SHBA-së për armëpushim në muajin maj dhe ata besojnë se kjo marrëveshje është mjaft e mirë që të dyja palët të shkojnë drejt përfundimit të konfliktit.
Megjithatë, Izraeli dërgoi të gjitha kërkesat shtesë pasi marrëveshja ishte pranuar tashmë, të cilat SHBA-të i pranuan plotësisht. Hamasi beson se pranimi i këtyre kërkesave do t’i hapte hapësirë Izraelit për të bërë kërkesa të reja dhe se kjo nuk do të çonte në paqe në këtë pjesë të Palestinës. /Telegrafi/