Site icon Telegrafi

Kërkesa e Zelenskyt për Shqipërinë, Rama: Vendimet tona janë gjithmonë në një linjë me ato të BE-së

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj kërkesës së Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili në fjalën e tij drejtuar Parlamentit shqiptar kërkoi që Shqipëria të mbyllte portet për anijet ruse dhe të kufizonte ardhjen e turistëve rusë.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se “vendimet tona janë gjithmonë në një linjë me ato të Bashkimit Evropian”.

“Nuk ka vendim të linjëzuar të BE-së dhe përsa kohë që nuk ka, vazhdojmë në të njëjtën rrugë si vitet e shkuara. Është e thjeshtë: nëse do të ketë vendim të linjëzuar nga BE-ja, ne do të bashkohemi me të”, deklaroi Rama.

Në lidhje me Presidentin, Rama u shpreh: “Kanë nisur bisedimet me palët zyrtare në Kuvend, për një kandidaturë presidenciale me konsensus. Jemi të gatshëm që të jemi sa më të hapur, në funksion të zgjedhjes së një Presidenti që të garantojë mbylljen me sukses të një kapitulli çmendurie në krye të shtetit”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim të martën në Kuvendin e Shqipërisë përmes një video-mesazhi me ligjvënësit shqiptarë.

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, i bëri thirrje Shqipërisë që të kufizojë ardhjen e turistëve rusë në vendin tonë këtë verë.

“Ju kërkoj të mbyllni portet për anijet ruse, ju kërkoj të kufizoni ardhjen e turistëve. Ju nuk mund ta dini se kush mund të vijë te ju për të pushuar, mund të jetë një vrasës i Bucha-s ose xhelati i Mariupolit”, tha Zelensky.

Exit mobile version