Site icon Telegrafi

Kërkesa e Thaçit për Brukselin: Përshpejtim të liberalizimit të vizave

????????????????????????????????????

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takohet të martën në Bruksel me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, dhe me presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Shultz.

Takimet me zyrtarët e lartë evropianë të presidentit Thaçi pasojnë vendimin e Kuvendit të Kosovës për të miratuar vazhdimin e mandatit të misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, dhe vijnë në kuadër të një vizite të zakonshme të tij në Bruksel pas marrjes së detyrës së presidentit.

Zgjatja e mandatit të EULEX-it për dy vjetët e ardhshëm ka hapur edhe mundësinë e takimeve të presidentit Thaçi me zyrtarët e lartë evropianë, që i kanë dhënë mbështetje të fortë misionit më të madh evropian për sundimin e ligjit.

Zyrtarë të Presidencës së Kosovës thonë se presidenti Thaçi do të theksojë përkushtimin e Kosovës për rrugën e integrimeve euro-atlantike dhe rolin e saj si “faktor stabiliteti dhe fqinjësie të mirë në rajon”.

Gjithashtu presidenti Thaçi thuhet se do të kërkojë nga zyrtarët e lartë evropianë “përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”.

Takimet e presidentit Thaçi me zyrtarët e lartë evropianë janë të parat që prej marrjes se detyrës në prill të këtij viti, në një mandat 5-vjeçar. (REL)

Exit mobile version