Lideri i Listës Serbe, i cili mban edhe postin e ministrit të Pushtetit Lokal në Republikën e Kosovës, Goran Rakiq, ka kërcënuar se përfaqësuesit e Listës Serbe do të braktisin të gjitha institucionet shtetërore në Prishtinë dhe veri të Kosovës, në qoftë se muajin e ardhshëm nuk fillon procesi i formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, i cili, sipas tij, duhet të përmbyllet deri në fund të këtij viti.
Rakiq në një konferencë shtypi në veri të Mitrovicës, siç raportojnë mediat serbe, ka konfirmuar se, pas konsultimeve me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Lista Serbe do të marr pjesë në zgjedhjet lokale që mbahen të dielën, më 17 tetor.
Në të njëjtën kohë Rakiq ka thënë se po presin që deri në fund të këtij viti të përmbyllet procesi i formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Në qoftë se gjatë nëntorit nuk fillojnë bisedimet në nivel të Beogradit dhe Prishtinës, për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe do t’i njoftojmë të gjithë faktorët relevantë në Prishtinë, Beograd dhe Bruksel se do t’i braktisim të gjitha institucionet në Prishtinë dhe në veri, ku kryetarët e komunave do të dhënë dorëheqje. Fundi i vitit është afati i fundit për formimin e Asociacionit”, tha Rakiq, transmeton Telegrafi.
Ai tha se për këtë është dakorduar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe përsëriti se në qoftë se nuk formohet Asociacioni, për Listën Serbe marrëveshja e Brukselit do të jetë e pavlerë.
Ndryshe, ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, kohë më parë përkrahu protestat dhe bllokimin e rrugëve nga serbët në veri, kundër reciprocitetit të vendsur nga Qeveria e Kosovës për targat e automjeteve nga Serbia.
Ndërsa, javën që shkoi që doli kundër vendimit të Qeverisë që të luftojë kontrabandën në të gjithë vendin.
Madje, në ditën e operacionit anti-kontrabandë në veri të Kosovës, në një takim të serbëve të Kosovës në Rashkë të Serbisë me presidentin serb Vuçiq (të mërkurën e kësaj jave), Rakiq kërcënoi se durimit të serbëve i në Kosovë i ka ardhur fundi dhe se nuk do të lejojnë operacione të Policisë së Kosovës në veri të vendit. /Telegrafi/