Kremlini ka paralajmëruar se vendosja e raketave amerikane në Gjermani mund t’i bëjë kryeqytetet evropiane objektiva për raketat ruse, në një përsëritje të konfrontimit të stilit të Luftës së Ftohtë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, foli për një “paradoks” në të cilin “Evropa është një objektiv i raketave ruse”.
“Ne kemi kapacitet të mjaftueshëm për t’iu bërë ballë këtyre raketave, por viktimat e mundshme janë kryeqytetet e këtyre vendeve”, tha Peskov.
Peskov aludoi se një konfrontim i tillë mund të minojë Evropën në tërësi.
“Evropa nuk po jeton momentin e saj më të mirë. Në një konfigurim tjetër, përsëritja e historisë është e pashmangshme”, tha zëdhënësi i Kremlinit.
Bëhet e ditur se Shtëpia e Bardhë njoftoi gjatë samitit të NATO-s se do të vendoste armë me rreze të gjatë, duke përfshirë raketat e lundrimit Tomahawk në Gjermani nga viti 2026, si një strategji parandaluese, shkruan the Economic Times, përcjell Telegrafi.
“Ushtrimi i këtyre aftësive të avancuara do të demonstrojë angazhimin e SHBA-së ndaj NATO-s dhe kontribuesve të aleancës për strategjinë e integruar evropiane të parandalimit”, tha Shtëpia e Bardhë.
Siç raportohet, Kremlini e kritikoi masën, duke akuzuar Uashingtonin se ka hedhur një hap drejt një Lufte të re të Ftohtë dhe për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në konfliktin në Ukrainë.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ministri Andrei Belousov ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan Lloyd Austin ku diskutuan uljen e rrezikut të “një përshkallëzimi të mundshëm”.
Ndryshe, vendet e NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja, kanë forcuar mbrojtjen e tyre në Evropë pas fillimit të fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë në vitin 2022. /Telegrafi/