Site icon Telegrafi

Kërcënoi me vrasje Albin Kurtin, lirohet nga paraburgimi Haxhi Hoti

Zyrtari i Nismës, Haxhi Hoti i cili kërcënoi liderin e LVV-së, Albin Kurti përmes një shkrimi në Facebook, është liruar nga masa e paraburgimit.

Këtë e ka bërë të ditur avokati i tij, Rasim Hoti përmes një shkrimi në Facebook.

“I drejtë dhe i bazuar në ligj Vendimi i datës 23.01.2020, me të cilin i është ndërprerë masa e paraburgimit të mbrojturit tim Haxhi Hoti!”, ka shkruar avokati Hoti.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot është paraqitur në Prokurorinë Themelore në lidhje me kërcënimin që i është bërë nga anëtari i partisë Nisma, Haxhi Hoti.

Lexo po ashtu U kërcënua nga Haxhi Hoti, Kurti jep dëshminë

Kujtojmë se më 28 dhjetor të vitit të kaluar, Haxhi Hoti, përmes një postimi në Facebook, kishte bërë një krahasim mes presidentit të vrarë amerikan, John Kennedy dhe Albin Kurtit, duke thënë se ndonëse populli e deshi të parin për udhëheqës të shtetit, nuk ishte në interesin e shtetit që ai të ishte president, kurse për Kurtin ka thënë se populli “ndoshta” e do, “por nuk është interes i shtetit që ky të jetë kryeministër”.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet rreth Haxhi Hotit

Liderit të Vetëvendosjes, Hoti i la dy rrugë: “Albin Kurti i ka 2 rrugë: ose ta lëshojë Kosovën ose mund të vritet”.

Fillimisht, shkalla e parë e Gjykatës e liroi atë me një masë që mos t’i afrohej Kurtit në një distancë prej 500 metrash, por pas ankesës së Prokurorisë në shkallën e dytë, Apeli vendosi që ai të rikthehet prapa grilave. /Telegrafi/

Exit mobile version