Telegrafi

Kërcënohet furgoni me punonjësit e biznesit në Shijak, një person i bën pritë i armatosur

Foto: Ilustrim

Një person i paidentifikuar ka kërcënuar me armë zjarri 34-vjeçarin dhe personelin që punonte në lokalin e tij.

Policia bën me dije se shtetasi H. A., 34 vjeç, banues në Maminas, Shijak, ka njoftuar Policinë se në Rubjekë, Shijak, në afërsi të liqenit të Rubjekës, ndërkohë që lëvizte me automjet, për të shpërndarë në banesa, personelin që punonte në lokalin e tij, një shtetas ende i paidentifikuar e kishte kanosur me armë zjarri.

“Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë. Është ngritur grupi hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e motivit të kanosjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/