Ndëshkimi i Kosovës, duke i pezulluar liberalizimin e vizave, ka bashkuar në qëndrime Sali Berishën dhe Lulzim Bashën.
Në një dalje për mediat, Berisha tha se ai priste nga Macron që të vinte sanksione ndaj Serbisë dhe jo të ndëshkonte Kosovën. Për demokratin, kjo është një politikë e gabuar, që nuk mund të sjellë një zgjidhje afatgjatë në rajon.
“Prisja që presidenti i respektuar francez të njoftonte sanksione ndaj Serbisë, por politika e sanksionimit të viktimës, nuk mendoj se është një politikë që mund t’i shërbejë avancimit të problemit. Ballkani ky është, por të mendohet se mund të ecet me ‘locus mi’oris’ rezistence nuk funksionon. U provua kjo. Ai që kryen një agresion, që kryen akt terrorist, stërvit terrorist, i pajis me mjete ushtarake, dhe nuk e ka dënuar, shpall zinë. Nëse duam të zgjidhim problemin t’i vlerësojmë gjërat me objektivitet. Presidenti Macron ka pasur një problem me vizat dhe para 3 vitesh, problemi i tij kryesor ishte krimi i organizuar shqiptar, të cilin e siguroj presidentin se ka vetëm një kokë meduze dhe ai është Edi Rama. Kjo është e vërteta. Kosova ka një kriminalitet shumë herë më të ulët, ua them, shumë herë më të ulët se Shqipëria. Ka, nuk them që nuk ka krim të organizuar, por Shqipëria është ku e ku”, tha Berisha.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Basha, sipas së cilit, kjo është rruga e gabuar dhe nuk i afron palët drejt dialogut.
“Penalizimi i qytetarëve të Kosovës nuk është rruga e duhur për të sjellë palët në dialog e as për t’i dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë. Europa nuk mund të vazhdojë të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur me 24 shtator dhe as të mbyllë sytë përballë përgjegjësisë së Serbisë, presidenti i të cilës sfidon hapur, duke refuzuar sanksionet ndaj Rusisë dhe duke u shfaqur në krah të Vladimir Putin.
Skenarët për destabilizimin e gjithë rajonit janë para syve të çdokujt, ndaj është i domosdoshëmi angazhim maksimal Euro-Atlantik në dialogun Kosovë-Serbi, për zbatimin e planit Franko-Gjerman dhe përmbylljen me një marrëveshje që ka në qendër njohjen reciproke.
Si kontribut për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Europë tani është koha që 4 vendet e mbetura të NATO-s t’i hapin rrugë anëtarësimit të Kosovës në Aleancë duke nisur me përfshirjen në Partneritetin për Paqe”, shkruan Basha.