Komuniteti i prokurorëve të Shqipërisë ka reaguar sa i takon kërcënimit me jetë që i është bërë tre kolegëve të tyre.
Ata kanë shprehur solidaritetin me prokuroret, ndërsa theksuan se të tilla ngjarje nuk e lëkundin aspak angazhimin e tyre për të ushtruar detyrën me kurajo, dinjitet, profesionalizëm dhe motivim, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë penale të kujtdo që është subjekt i një vepre penale apo veprimtarie kriminale.
Deklarata:
Duke konstatuar dhe vlerësuar maksimalisht shqetësimin e shprehur dhe solidarizimin masiv të opinionit publik në lidhje me rastin, jemi të sigurt se zhvillime të tilla vetëm sa e përforcojnë edhe më shumë qëndrimin dhe ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare për distancimin me indinjatë nga ata individë apo grupe kriminale që minojnë në përgjithësi rendin e sigurinë publike, apo zhvillimin e qenësishëm demokratik, social e ekonomik të vendit.
Shpresojmë që momente të tilla të shërbejnë si reflektim edhe për segmente të caktuara të jetës publike, politike, mediatike e më gjerë, të cilët, jo pak herë, shpërfillin publikisht normat bazë të respektimit të funksionit dhe figurës së magjistratit në një shoqëri demokratike, duke krijuar një klimë që frymëzon sulme personale ndaj magjistratëve, të lidhura ngushtësisht me detyrën.
Së fundmi, ftojmë dhe inkurajojmë të gjithë aktorët e komunikimit publik në vend, që të kontribuojnë në ravijëzimin e një qasjeje të re më konstruktive dhe besimplotë karshi sistemit të drejtësisë, si premisa për garantimin dhe jetësimin e parimeve të një shteti të së drejtës. /Telegrafi/