Pesë zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës janë arrestuar pasi dyshohen se në mënyrë të kundërligjshme kanë licencuar pyetës teorikë (ekzaminerë) për patentë-shofer dhe disa nga ta i kanë angazhuar në njësitë rajonale, pa respektuar procedurat e rekrutimit për punësim, pa lidhur kontrata pune dhe pa u siguruar paga mujore të angazhuarve.
Kështu thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Sipas raportit, ngjarja ka ndodhur më 26.11.2018 ku janë kontrolluar tri zyre në Ministrinë e Infrastrukturës dhe zyrat e njësive rajonale për patentë shofer në Prishtinë dhe në Gjakovë.
“Dyshohet se të dyshuarit pastaj kanë ushtruar ndikimin e tyre, me qëllim të kalimit të testit teorik për kandidatë të ndryshëm. Si prova materiale janë sekuestruar pajisje të ndryshme elektronike. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/