Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka ardhur me një njoftim zyrtar në lidhje me keqpërdorimin e emrit të kampioneve olimpike, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe Majlinda Kelmendi në rrjetet sociale.
Emri i kampioneve olimpike të Kosovës ka filluar të keqpërdoret në rrjetet sociale nga njerëz të papërgjegjshëm.
Kjo ka bërë që KOK-u të vijë me një njoftim duke konfirmuar se asnjëra nga Distria, Nora dhe Majlinda nuk kanë llogari zyrtare.
KOK-u gjithashtu ua ka bërë me dije keqpërdoruesve se të gjithë do të paditen për prishje të imazhit.
Njoftimi i KOK-ut
Kampionet olimpike nga Tokyo 2020, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, kanë pranuar me shqetësim hapjen e llogarive me emër të tyre në rrjetet sociale.
Komiteti Olimpik i Kosovës ju njofton se asnjëra nga kampionet olimpike, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova nuk kanë llogari në Facebook dhe Instagram.
KOK njëkohësisht ua bënë me dije të gjithë atyre që për përfitime të ndryshme, po e keqpërdorin emrin e kampioneve olimpike, duke dhënë edhe intervista për media të ndryshme, se do të ngrejë padi për keqpërdorim të imazhit të xhudisteve tona.
/Telegrafi/