Telegrafi

A keni mjaftueshëm para: Ferrari prezantoi veturën unike BR20

Krijimi i fundit nga departamenti special i Ferrarit. Prodhuesi italian është gjithmonë i gatshëm të përmbushë çdo dëshirë të klientëve të pasur dhe t’i ngarkojë ata shumë mirë.

Kjo veturë unike mban emërtimin BR20 dhe bazohet në modelin e prodhimit GTC4 Lusso nga sfera aktuale e Ferrarit, por me një dizajn të ndryshuar ndjeshëm.

Ideja ishte të ktheheshim pas në kohë dhe të kujtonim modelet e famshme GT nga mesi i shekullit të kaluar.

Ferrari BR20 përmban një kabinë të rehatshme dhe një motor V12 të vendosur në pjesën e përparme dhe bie në sy pjesa e pasme e makinës e dizajnuar në mënyrë të rrjedhshme me dritat tradicionale rrethore të ndalimit, raporton autoexpress.

Ferrari hoqi sediljet e pasme nga vetura e prodhimit dhe kështu i mundësoi pronarit të kishte një hapësirë të fortë bagazhesh.

Ashtu si pjesa tjetër e kabinës, edhe bagazhi është i veshur me lëkurë cilësore dhe elemente prej druri dhe fibër karboni.

Detajet teknike nuk janë bërë të ditura zyrtarisht, por specifikimet duhet të jenë të njëjta si në Ferrari GTC4 Lusso, që do të thotë se vetura e merr fuqinë nga motori V12 me 690 kuaj/fuqi (507 kW) dhe 697 Nm, ndërsa lëviz me të gjitha rrotat. Çmimi është sekret. /Telegrafi/