Intervistoi: Aroma Aliti
Rilind Alimani është një i ri nga qyteti i Tetovës i cili i është bashkangjitur skenës së muzikës. Përveç se është një këngëtar ai gjithashtu është një producent dhe tekst shkrues. Si një nga eksperiencat e tij më të veçanta Rilindi e veçon pjesëmarrjen e tij në festivalin e Këngës Magjike në Shqipëri. Në intervistë për Telegrafin ai bëri të ditur se gjatë këtij viti pritet të publikoj shumë projekte të reja.
Sipas Rilindit Maqedonia e Veriut nuk ofron mbështetje për artistët e rinj dhe mund të arrish vetëm nëse nuk ndalon së luftuari për atë që t’i do.
Për ata që se njohin kush është Rilindi dhe me çfarë merret?
Rilind Alimani është një djalë nga Tetova. Studion në fakultetin e arteve në Tetovë. Ai merret me muzikë që në moshë të vogël. Ai është këngëtar, producent dhe tekst shkrues.
Si eksperiencë më e veçantë për Rilindin është pjesëmarrja e tij në festivalin Kënga Magjike, e cila i ka ofruar atij mësimet e nevojshme profesionale si dhe e ka motivuar për të ecur përpara.
Një eksperiencë e jotja në sferën e muzikës që të ka ofruar mësime të nevojshme profesionale dhe të ka bërë të kuptosh se duhet të luftosh për atë që t’i do?
Ka plot por njëra është Kënga Magjike e cila më dha një motiv më shumë për të punuar rreth karrierës sime, aty mësova se si duhet të krijosh bagazh me virtyte të mira, por është edhe jeta e përditshme si me koleg, me shoqëri, me njerëz që të lidh muzika bisedat rreth vazhdimësisë tënde, bisedat rreth një projekti që të del me përfundim të mirë por gjithsesi e gjitha është ajo që ti dëshiron dhe e bën.
Ai shpreh se Maqedonia e Veriut nuk ju ofron mbështetje artistëve dhe se ata duhet të luftojnë vazhdimisht për të arritur diçka.
A mendoni se Maqedonia e Veriut ofron kushtet e duhura për një këngëtar që të zhvilloj karrierën e nevojshme?
Maqedonia e Veriut jo që ofron shumë por edhe nuk ofron asgjë rreth artisteve të rinj, nuk ka mbështetje por e ceki sërish që nëse ti e dëshiron atë dhe punën pa mos stopuar do të arrish, normalisht është edhe rrethi, nëse ki shoqërinë e mirë dhe të shendosh do të arrihet gjithçka.
Nga Rilindi priten shumë projekte të reja muzikore përgjatë këtij viti, gjithashtu ai ka edhe plane të tjera sa i përket studios së tij aktuale. Vendi ku çdo këngëtar e kalon një pjesë më të madhe të kohës së tij.
Çfarë planesh ka Rilindi në të ardhmen?
Kam disa plane, mendoj të zgjeroj studion time, të bëj më profesionale dhe normal kam shumë e shumë projekte qe do t’i lansoj gjatë vitit 2023.
Ndërkaq, në fund Rilindi gjithashtu ju drejtua gjithë bashkëmoshatarëve të tij me një këshillë motivuese për të ndjekur ëndrrat e tyre duke anashkaluar çdo pengesë që mund të përballen përgjatë rrugëtimit të tyre drejt suksesit.
Një këshillë që do i jepje bashkëmoshatarëve për t’i frymëzuar në karrierën e tyre?
Unë do ua them këtë, mbyllni veshët mos dëgjoni fjalët e të tjerëve, bëje atë që të thotë shpirti e zemra se vetëm ti e ndjen se çka do mund të bësh. Normal ka rënie dhe ngritje, mendime negative por thjesht mendo të punosh sa me fort edhe me ndihmën e Zotit e me punën tënde dhe me rrethin tënd do arrish atë që dëshiron.