Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, është e njohur për këngët e saj, të cilat kanë miliona shikime në YouTube dhe platforma të tjera muzikore.
32-vjeçarja ka pasur rastin që në sajë të karrierës së saj të suksesshme, të bëjë bashkëpunim me emra të njohur nga mbarë bota.
Së fundmi, ajo ka pasur rastin që për herë të parë të bashkëpunojë me personazhin e njohur për fëmijë, Elmo.
Ajo ka realizuar një këngë fëmijësh me personazhin e kukullave për fëmijë, për të motivuar njerëzit që të zgjohen nga gjumi.
Artistja me prejardhje shqiptare ndau me 10.7 milionë ndjekësit e saj në Instagram një video, ku tregonte këtë këngë të shkurtër dhe shumë të lezetshme.
“S’më besohet, unë takova Elmon”, ka shkruar Rexha në mbishkrimin e një fotografie të publikuar në llogarinë e saj zyrtare.
Kënga përndryshe ka të bëjë me rutinën ditore të mëngjesit, duke u bërë thirrje njerëzve që të zgjohen të freskët dhe të kryejnë detyrat e mëngjesit pa përtesë.
Krahas këtyre projekteve, këngëtarja e hitit “I’m a mess” vazhdon të shijojë suksesin e albumit të saj më të fundit, “Better Mistakes”, të cilin e publikoi në maj të këtij viti. /Telegrafi/