Është më se e mundshme që ish-trajneri i Romës, Jose Mourinho, do të marrë rrugë për në Turqi, pasi pas Fenerbahces, tani Besiktasi ka konfirmuar se janë në negociata me teknikun portugez.
‘The Special One’ ka mbetur i papunë pasi u shkarkua nga Roma në muajin janar dhe e kishte thënë disa herë se ai dëshiron që të sigurohet se do të marrë vendimin e duhur për hapin e ardhshëm në karrierë.
Fenerbahce e kishte pranuar hapur se Mourinho është një kandidat i mundshëm për stolin për sezonin e ardhshëm, ani pse ky ishte një premtim i fushatës elektorale për president të klubit.
Në anën tjetër, Besiktasi janë në një pozitë të favorshme për t’i bërë Mourinhos një ofertë dhe zëvendës-presidenti Huseyin Yucel konfirmoi zërat sot (e shtunë).
“Ne kemi kontaktuar Jose Mourinhon një muaj më parë dhe ai e mirëpriti ofertën tonë. Ne tashmë i kemi zgjidhur detajet në aspektin financiar dhe do të shkojmë në Itali javën e ardhshme për t’u takuar me të”.
“Nëse arrijmë një marrëveshje me Mourinhon, atëherë ne do ta rekomandojmë që ai të përfshijë Ricardo Quaresman në stafin e tij”, ka thënë Yucel.
Yucel ka garantuar se paga e Mourinhos do të mbulohej nga marrëveshja me sponsorët, kështu që nuk do të kishte një ndikim të madh në buxhetin e klubit.
Në rast se Mourinho merr drejtimin e Besiktasit, atëherë kjo do të ishte një mundësi fantastike për dy futbollistët shqiptarë Milot Rashica dhe Ernest Muçi, që të zhvillohen nën urdhrat e njërit prej trajnerëve më të mirë të të gjitha kohërave./Telegrafi/