“Ne nuk jemi ndërmjetës, nuk jemi as arbitër, jemi shumë më tepër se kaq sepse të dy vendet duan të bëhen anëtarë të BE-së. Kemi levën në dorë”. Kjo deklaratë e Borrellit ka qenë mollë sherri që dy opinionistët Visar Ymeri dhe Dibran Hoxha të debatojnë ashpër.
Aktivisti i shoqërisë civile, Dibran Hoxha ka vlerësuar se procesi i dialogut Kosovë-Serbi është një i atillë që po tregon të jetë i korruptuar.
I ftuar në Debat Plus të RTV Dukagjini, çështja e dialogut Kosovë-Serbi nxit një debat në mes aktivistit Dibran Hoxha dhe analistit, Visar Ymeri mbi pretendimet kundërshtuese të njëri—tjetrit, mbi një “dialog të korruptuar”.
“Sa u përket deklaratave të Borrell, që tha se kemi leva ndëshkuese ndaj juve, me i thanë që ne nuk kemi hesap me i pagu krejt çmimet që ja garantojnë rrugën dhe ia shtrojnë rrugën Serbisë për në BE. Le të bëhemi të dinjitetshëm per vete, le të tregojmë që nuk pranojmë kësi lloj menaxhime të krizave pafundësisht sepse ato pafundësisht kanë qenë në status-quo. Nëse mendon se mund të na ndëshkojë përtej izolimit, nuk e di se çka mundet të na ndëshkojë tjetër përtej izolimit?”, ka deklaruar Hoxha gjersa ka theksuar se “komplet procesi ka treguar që është i korruptuar në thelb, për rezultatet që i prodhon ka tregu që është i korruptuar”.
Lidhur me deklaratën e Hoxhajt, nuk është pajtuar aspak analisti Visar Ymeri. Ky i fundit nuk beson se një plan i korruptuar mund të sjellë baza të mira, siç i kishte vlerësuar kryeministri Albin Kurti.
“LVV e ka quajtur këtë proces të dëmshëm dhe të rrezikshëm për vendin, këtë procesin e Brukselit, dakort jam. Por tash, LVV po bëhet pjesë e këtij procesi dhe prapë po e quajnë të korruptuar këtë nuk po e kuptoj se qysh një proces i korruptuar mund të na prodhoj potencialisht një marrëveshje e cila është bazë e mirë për neve. Plani franko-gjerman nga kryeministri ynë është cilësuar si bazë e mirë për Kosovën”, ka deklaruar Hoxha gjersa ka theksuar se “si mundet një proces i korruptuar të prodhojë një dokument që është bazë e mire, të ishte proces i korruptuar nuk kishte prodhuar dokumente të pranueshme për neve”, deklaroi Ymeri.