Zëvendëskryeministrja e Sllovenisë, njëherësh ministre e Jashtme, Tanja Fajon të hënën ishte për vizitë në Kosovë, ku u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca si dhe me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla.
Marrëdhëniet me Slloveninë janë vlerësuar si tejet miqësore, teksa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka çmuar mbështetjen historike të Sllovenisë për Kosovën dhe për integrimin ndërkombëtar.
Osmani dhe Fajon kanë diskutuar edhe për zhvillimet aktuale në veri të vendit dhe përpjekjet e institucioneve të Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit.
“Kurse sa i përket dialogut me Serbinë, presidentja Osmani ka potencuar se Kosova mbetet palë konstruktive, por Serbia me obstruksionet e saj dhe duke përdorur bandat kriminale në veri të vendit po përpiqet ta destabilizojë Kosovën dhe ta pengojë dialogun”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar për paqe e stabilitet dhe se synim parësor mbetet integrimi euroatlantik i Kosovës.
Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon pas takimit me ministren Gërvalla theksoi se Kosova dhe Serbia duhet të diskutojnë për propozimin e BE-së për normalizim të raporteve.
Fajon ka thënë se nuk bën të ketë eskalim të situatës në veri të Kosovës.
“Gjithmonë kam thënë që Kosova duhet të përpiqet për normalizim e marrëdhënieve, nuk bën të bëhet eskalimi i situatës andej dhe duhet të fillojnë negociatat që të flasin për propozimin e BE-së që e kanë në tavolinë për normalizimin e marrëdhënieve ”, ka thënë Fajon.
Ajo ka shtuar se Sllovenia mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe se zgjedhjet që pritet të mbahen në veri duhet të jenë të ndershme e të lira.
“Ne duam që jeta të bëhet sa më e thjeshtë për të gjithë qytetarët. Të gjithë jemi të shqetësuar për rreziqet e sigurisë në Ballkan. Kemi nevojë për një Ballkan dhe Kosovë të fortë”, ka thënë Fajon.
Kryediplomatja sllovene ka shtuar se me ministren Gërvalla kanë folur edhe për bashkëpunimin e dyanshëm mes dy shteteve.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon tha se Sllovenia përkrah Kosovën për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.
Kryediplomatja sllovene rikonfirmoi edhe njëherë se Sllovenia dhe Kosova kanë lidhje të forta mes vete.
“Sllovenia është një vend i vogël e po ashtu edhe Kosova, kemi histori të përbashkët me Kosovën, por edhe me rajonin dhe mund të ndihmojmë si në fushën e sigurisë ashtu edhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe në reformat në drejtësi”, tha Fajon për televizionin publik. /Telegrafi/