Pas zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur në Komunë të Prishtinës ku kryetari Përparim Rama shkarkoi nga posti nënkryetaren Donjeta Sahatçiun si dhe drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliun nga koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), sot do të mbahet një seancë në Kuvendin Komunal ku asamblistët pritet të bëjnë anulimin e vendimit për këmbimin e pronave në Badovc.
Shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri në një prononcim për Telegrafin ka thënë se kjo seancë do të mbahet në orën 14:00 në sallën e Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Në këtë seancë pritet anulimi i këmbimeve të pronave në Badovc, gjersa ditë më parë shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri kishte thënë se “interesi i publik i qytetarëve të Prishtinës do të triumfojë mbi interesin e pronarëve të tokave dhe larjes së borxheve biznesore”.
E lidhur me shkarkimet në kryeqytet, kryetari Rama ka thënë se arsyeja e shkarkimit të Drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliut ka qenë mos zgjidhja e problemit të mbeturinave në kryeqytet.
Rama, përveç shkarkimit të drejtorit Ilirik Musliu dhe nënkryetares Donjeta Sahatçiu ka njoftuar edhe për krijimin e disa drejtorive të reja dhe shkrirjen e disa të tjerave në një drejtori të vetme.
“Në funksion të përshpejtimit të transformimit të Kryeqytetit dhe avancimit të standardeve të ndërtimit dhe sigurisë së qytetarëve, kam vendosur që të themeloj Drejtorinë për Transformim. Në krye të saj, kam emëruar arkitektin e njohur, Ilir Murseli. Në fushën e funksionimit dhe menaxhimit më të mirë të sektorëve të Planifikimit e Urbanizmit, i pari i kryeqytetit ka marrë vendim që të bashkojë këto dy drejtori në një Drejtori të vetme, në krye të së cilës do të jetë arkitekti i njohur, Arbër Sadiki”, kishte njoftuar Rama.
Ndryshe, kryetari i Komunë së Prishtinës, Përparim Rama ka paralajmëruar se drejtoria e Pronës dhe Drejtoria e Kadastrit do të shkrihen në një Drejtori të Pronës dhe Kadastrit, e cila do të udhëhiqet nga Doruntina Maloku.
Ndërsa, drejtori i deritanishëm i Kadastrit, Donat Lushaku është emëruar në pozitën e zëdhënësit të kryeqytetit.
Kujtojmë se PDK në këtë koalicion qeveritar erdhi pas rezultateve në zgjedhjet e 31 tetorit 2021 për asamble komunale. Kjo parti politike i kishte fituar 9 asamblistë, ose vetëm pesë më pak se LDK-ja.
Partia më e madhe në kryeqytet, megjithatë, vijoi të ishte Vetëvendosja që i ka 17 asamblistë. /Telegrafi/