Shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka folur për qëndrimin e të dërguarit të presidentit Trump, Richard Grenell, i cili po insiston në heqjen e taksës ndaj produkteve nga Serbia e Bosnje e Hercegovina.
Në një intervistë në Rubikon të KTV-së, Kurti ka thënë se ky diplomat “ka shumë energji edhe nuk ka qëllim të keq”.
Megjithatë, sipas tij, çështjet në Ballkan dhe raportet Kosovë-Serbi janë pak të ndjeshme. Në këtë kontekst, Kurti ka pohuar të ketë dëshmuar vullnet për ta hequr taksën.
“Unë kam treguar vullnet për heqjen e tarifës 100 për qind dhe kjo të bëhet posa të vendoset parimi i reciprocitetit. Nuk besoj se ka nevojë edhe taksë edhe reciprocitet. Ne dëgjohemi me njëri-tjetrin shumë, dhe s’do të thotë se pajtohemi për gjithçka. Parimin e Reciprocitetit do të elaborojmë. Trumpi kishte deklaruar se reciprociteti është fjala ime e favorshme. Ta zëmë Kosova mund ta zbatojë reciprocitetin por nuk po e bënë. Me targa të Kosovës nuk hynë dot në Serbi. Këtë do të mund ta bënte edhe Republika e Kosovës, dhe kështu është reciprociteti. Ne kemi të drejtë të mos lejojmë mauna të Serbisë sepse nuk kemi marrëveshje për transportin rrugor. Ne po shkojmë ngadalë, mençur, sigurt dhe do të elaborojmë saktë se çfarë i bie reciprociteti”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se fushata për çnjohjen e Kosovës është projekt shtetëror, sipas ministrit të jashtëm serb.
Megjithatë, ai ka thënë se ka shumë punë.
“Serbia nuk është prioriteti as numër një, as numër dy. Unë kam garuar me tjera gjëra. Në shumë aspekte Kosova është shtet më normal se Serbia. Do të angazhohem me gjithë kapacitetin që kam që me të vërtetë të arrijmë këto. Unë nuk e kam ndërmend Serbinë që të na njohë”, ka theksuar Kurti.
Sa i përket administratës, Kurti ka thënë qeveria që ai drejton nuk do të bëjë rokada, jo përjashtime nga puna.
“Ne do të bëjmë gjithçka që të kemi rokada e jo përjashtime, nuk besoj se administrata civile nuk është e aftë për diçka tjetër”, ka sqaruar Kurti.
Sipas tij, do të rritet numri i inspektorëve.
“Nuk duam të përjashtojmë askënd, pasi shpëtimi i Kosovës nuk bëhet përmes përjashtimit”, ka thënë Kurti.