Duke e parë polarizimin e situatës pas diskutimeve që po bëhen për demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, deputeti dhe biznesmeni Ramiz Kelmendi, i ka ftuar për takim kokë më kokë liderët e partive politike.
Ai i ka ftuar liderët e partive politike që të takohen në vilën e tij në Rugovë, të hënën më (29.08.2016), në ora 12:0, për të diskutuar çështjen e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi. Krejt ky takim sipas biznesmenit të shquar të bëhet pa prezencën e ndërkombëtarëve.
Më poshtë mund ta lexoni ftesën e plotë të Kelmendit:
Ftesë e hapur publike, liderëve institucional e politik të Republikës së Kosovës
Bazuar në rrethanat e reja, polarizimin e tejskajshëm të skenës politike, rëndësinë dhe ndjeshmërinë e brendshme dhe të jashtme të çështjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe dy proceseve tjera që na presin, Asociacioni i komunave dhe demarkacioni me Serbinë;
Publikisht, ftojë liderët institucional e politik, për takim kokë më kokë.
Për hir të prakticitetit, propozojë, takimin për të Hënën (29.08.2016), në ora 12;00, me nikoqirllëk në Rugovë (Villa e Elkosit), pa ndërmjetësim ndërkombëtarë.
Jam i bindur se një format i tillë i takimit, do të jetë tejet i frytshëm dhe i nevojshëm në shërbim të temës në fjalë, ruajtjes së raporteve ndërfamiljare, ndërfqinjësore dhe ndërpartiake.
Komunikimi çdo herë e edhe kësaj radhe, padyshim se i shërben rrugëtimit të suksesshëm politik dhe ekonomik të vendit.
Paraprakisht, propozojë, që të shtunën (27.08.2016) në ora 12;00, në të njëjtin ambient në Rugovë, të takohen grupet e ekspertëve të komisionit shtetëror dhe të ekspertëve të pavarur, në debatim të sërishëm të argumenteve për demarkacion, meqë përgjegjësia për çdo epilogë, do bie mbi këta ekspertë.
Kërkojë nga të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e subjekteve politike të angazhohen në mbështetje të takimeve të propozuara”. /Telegrafi/