Site icon Telegrafi

Kelmendi i kthehet garave në Grand Slamin e Dusseldorfit

Kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, do të rikthehet të premten në gara, pas pushimit që bëri në Grand Slamin e Parisit.

Heroina jonë do të garojë në Grand Slamin e Dusseldorfit, që mbahet prej të premtes deri të dielën.

Majlinda, e cila do të garojë të premten në kategorinë e saj deri në 52 kilogramë, është garuesja e vetme që do të përfaqësojë vendin tonë, pasi xhudistët tjerë, Akil e Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Loriana Kuka, do të pushojnë, transmeton kosovapress.

Grand Slami është gara e dytë këtë vit për medalisten e artë Olimpike, pas medaljes së artë të fituar muajin e kaluar në Grand Prixin e Tel Avivit.

Në këtë Grand Slam marrin pjesë 683 garues nga 97 shtete, ndërsa Grand Slami është i vlefshëm për pikë Olimpike Tokio 2020.

“Dusseldorfi është një ndalesë vendimtare në rrugën drejt Lojërave Olimpike Tokio 2020 dhe kampionatit botëror të xhudos që mbahet në Tokio këtë vit.

Kampionët Olimpikë dhe të botës do të garojnë në Gjermani, ku tifozët e xhudos mund të presin një garë spektakolare”, ka deklaruar presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, për “ijf.org”.

Exit mobile version