Telegrafi

Kelmendi kërkon që zgjedhjet për kreun e LDK-së të mbahen para 3 gushtit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka propozuar që zgjedhjet për kreun e LDK-së, të mbahen para 3 gushtit.

Ai ka thënë se, caktimi i datës së kuvendit zgjedhor të LDK-së, fillimisht ishte një datë e mirë zgjedhur, por meqenëse gjendja politike aktuale e krijuar kërkon që këto zgjedhje të afrohen sa më shumë, në mënyre që të përcaktohet kryetari i cili vazhdon apo merr përgjegjësi të reja, në varshmëri nga votat dhe kandidaturat e ofruar, transmeton Telegrafi.

Tutje në shkrimin e bërë në Facebook, Kelmendi ka thënë se “në rastin e parë të rizgjedhjes së kryetarit aktual të LDK-së, z.Isa Mustaafa ja fuqizon edhe njëherë mbështetjen për të qenë më afër këtyre proceseve me rëndësi, por edhe në rastin tjetër do i jap mundësi të rikuperoi dhe filloi së punuari me fuqi të plotë, sepse në të gjitha rastet Kosovën dhe në këtë kontest edhe partinë më të madhe dhe më të fuqishme e cila mund ti shtyje proceset e mëdha përpara”.

Deputeti ka thënë se dihet që politika vendore është e ndarë në dysh, rreth taksës, bisedimeve me Serbinë dhe temat aktuale që po ofrohen, dhe se heshtja e Bashkësisë Ndërkombëtare tregon që nevojitet një pjekuri politike e LDK-së për të ardhmen e vendit.

Ai ka shtuar se deklaratat e ndryshme për temën e njëjtë dhe mundësia e ndërhyrjes për të përçarë anëtarësinë e LDK-së, është më e madhe nëse koha është më e gjatë.

Ndryshe, kryesia e LDK-së, ditë më parë kishte njoftuar zyrtarisht se zgjedhjet për të parin e partisë do të mbahen me 3 gusht.

“Kuvendi i LDK-së do të ketë karakter solemn ku do të rikonfirmohet puna dhe performanca e LDK-së, fuqia politike dhe lidhja e fuqishme tridhjetëvjeçare e LDK-së me popullin e Kosovës”, kishin njoftuar nga LDK.