Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka drejtuar një thirrje publike, për tryezë kokë më kokë, të liderëve shtetërorë e politikë të vendit, pak ditë para seancës së 1 Shtatorit, seancë në të cilën pritet të kthehet çështja e demarkacionit me Malin e zi.
Kelmendi ka vënë në pah rrezikun që çështja si e tillë mund të sjellë refleksione të rrezikshme edhe brenda për brenda popullatës.
Ja letra e plotë, e Ramiz Kelmendit drejtuar lidershipit të vendit:
Tema e tejzgjatur e demarkacionit me shtetin malazez dhe zhvillimet e ditëve të fundit rreth këtij procesi, po e paralizojnë shtetin në të gjitha ecjet dhe sferat tjera të jetës edhe ashtu me trende të pakta pozitive.
Në një kohë kur seanca e paralajmëruar e 1 shtatorit po ofrohet, palët e involvuara në këtë çështje edhe më tepër po bunkerizohen në qëndrimet ‘pro’ dhe ‘kundër’.
Opinioni i gjerë është dëshmitarë i deklaratave, thirrjeve, ftesave, akuzave dhe kundërakuzave në distancë nga partitë politike, si të pozitës dhe të opozitës.
Komisioni shtetëror sikur dhe ai i ekspertëve, jomjaftueshëm arritën që të kryejnë misionet e tyre profesionale. Që të dy këto komisione, dështim kyç e kishin mos-reagimin në kohë. I pari duke prezantuar çështjet si fakte të kryera ndërsa i dyti duke I ndezur motorët vonë.
Në anën tjetër nëse këtë çështje (demarkacionin) e shikojmë në raportin diplomatik të vendit tonë, konkretisht, karshi miqve të mëdhenj të Kosovës, SHBA-ve si dhe përfaqësuesve të BE-së, krijohet bindja se si pozita ashtu edhe opozita, nuk kanë arritur mjaftueshëm të shpjegohen, sqarohen dhe koordinohen në këtë raport.
Ky realitet, po bartë me vete edhe një rrezik të madh, atë të zbritjes së problemit tek qytetari. (Kujto presionin që i bëhet popullatës tonë, të rajonit kufitar, ndërlidhjen e kësaj çështjeje me liberalizimin, duke e hamendur pjesën tjetër të popullatës që jeton në pjesë tjera të vendit tonë, si ndërlidhje, Demarkacionin me liberalizimin).
Sikur në çdo rast tjetër me interes, qytetarë, nacional e shtetëror, duke mos dashur të mbetem spektatorë i çështjeve dhe duke respektuar besimin që populli më ka besuar, si deputet i pavarur i Kuvendit të Republikës së Kosovës, si koleg në punë, i secilit prej drejtuesve dhe politikbërësve të vendit tonë, ftojë lidershipin kosovar, Kryetarin e shtetit, kryeministrin, kryeparlamentarin, kryetarët e subjekteve politike parlamentare që edhe njëherë, çështjen ta kthejnë në tryezë të përbashkët. Të flasin shtruar kokë më kokë dhe nëse ka nevojë edhe me asistencën e komisioneve.
Demarkacioni me Malin e zi në aspektin e brendshëm, ka nevojë për një emërues të përbashkët, përndryshe nëse barrikadimi i palëve (partive politike) vazhdon si i tillë, Kosova nuk do të ketë nevojë për armiq të jashtëm, do të jemi ne vet ata armiqtë e shtetit tonë të ri.
Shumëkush në Kosovë sot e edhe ndoshta vet ata të cilëve u drejtohet kjo thirrje, e shohin të pa arritshme tryezën, takimin sy më sy të liderëve, gjetjen e një emëruesi për këtë proces, por, mos të harrojmë, se pas këtij demarkacioni, vendin tonë, Kosovën, në mesin e shumë çështjeve me rëndësi, e presin edhe dy të tilla, me rëndësi po kaq sa kjo, ose edhe më shumë. Asociacioni i komunave dhe Demarkacioni me Serbinë janë detyrat e radhës. Mos të hamendemi se do të kalojmë lehtë edhe me këto, nëse veç palët, vazhdojnë të sillen me këtë trend qëndrimesh. /Telegrafi/