KEDS njofton se ka angazhuar dhjetëra ekipe në Rugovë të Pejës për të sanuar prishjet që janë shkaktuar si pasojë e kushteve atmosferike ditëve të fundit atje.
Në njoftimin e kompanisë thuhet se një pjese të konsumatorëve iu është kthyer furnizimi me energji elektrike derisa ekipet janë duke bërë përpjekje maksimale për të rikthyer furnizimin edhe konsumatorëve tjerë në kohën më të shpejtë të mundshme.
“Mirëpo reshjet e shiut dhe bora kanë vështirësuar tej mase procesin e punës duke bërë që terreni të jetë i pakalueshëm”, njofton KEDS.
Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, KEDS ka kërkuar ndihmë edhe nga FSK-ja për t’u çasur deri tek zonat ku kanë ndodhur prishjet.
Si pasojë e këtyre kushteve, deri më tash janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në rrjetin energjetik të asaj ane.