Site icon Telegrafi

KE: Zgjedhjet në Maqedoni do të bojkotohen nga 3 parti (Video)

Tri nga 4 partitë kryesore në Maqedoni e kanë informuar Këshillin e Europës se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit, nëse nuk përmbushen kushtet për zgjedhje demokratike.

Këtë e ka bërë të ditur Stefan Schennach, kryesuesi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, që në dy ditët e kaluara ka vëzhguar klimën parazgjedhore në Maqedoni.

“Tashmë dihet, që 3 nga 4 partitë kryesore nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit, nëse nuk plotësohen parakushtet, nuk zbatohet marrëveshja për zgjidhjen e krizës, apo nuk bëhet pastrimi i listës zgjedhore”, tha Stefan Schennach, kryesues i delegacionit të Këshillit të Europës.

Përfaqësuesi i KiE-së nuk ka përmendur emrat e partive që mund të bojkotojnë zgjedhjet, megjithatë, aktualisht vetëm partia VMRO-DPMNE e Nikola Gruevskit vlerëson se vendi është i gatshëm për të shkuar në zgjedhje. Përfaqësuesit e KiE-së kanë ftuar palët që të ulen përsëri bashkë, për të vendosur nëse do të shtyhet apo jo data e zgjedhjeve.

“Rruga e vetme për të zgjidhur krizën është që të mbahen zgjedhjet, megjithatë jo zgjedhje ku do të garojnë vetëm një apo dy parti, por zgjedhje gjithëpërfshirëse”, tha Stefan Schennach, kryesues i delegacionit të Këshillit të Europës, njofton Top Channel.

Duke komentuar zhvillimet e fundit në Maqedoni, përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës kanë kërkuar nga Presidenti maqedonas, George Ivanov, që ta tërheqë sa më parë vendimin për falje. Ata porositën pushtetin që të mos ushtrojë presion ndaj Prokurorisë Speciale dhe kërkuan që të mos pengohen protestat e shoqërisë civile.

Për gjendjen e mediave në Maqedoni, kryesuesi i delegacionit të KiE-së dha vlerësim tejet negativ.

“Kur e shoh gjendjen e medieve në vendin tuaj, më vjen të qaj”, tha Stefan Schennach./Telegrafi/

Exit mobile version