Angazhimi i Zinedine Zidane si trajner i Real Madridit ka nxitur thashetheme të menjëhershme në lidhje me planet për afatin kalimtar veror.
Në prezantimin zyrtar të rikthimit të legjendës franceze, presidenti i klubit, Florentino Perez, nuk ka mundur t’i shmangë pyetjet lidhur me lojtarët që mund të vijnë të Los Blancos.
Dhe natyrisht se interesimi është shumë i madh për dy lojtarët më të shtrenjtë në qarkullim, yjet e Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe dhe Neymar.
Kur u përmend emri i francezit, Perez deklaroi me shaka se Zidane mund të ndihmojë në transferimin e tij, duke qenë se janë bashkëkombës.
Ndërsa kur i është kërkuar që të zgjedhë ndërmjet Mbappe dhe Neymar, presidenti i Realit ka thënë se do t’i dëshironte që të dy në skuadër. Sidoqoftë, planet rreth transferimeve duhet të presin, pasi Mbretërit duhet ta përfundojnë sezonin aktual.
“Tash për tash, jemi të interesuar që ta përfundojmë mirë sezonin dhe të nisim përgatitjet për sezonin e ardhshëm”, është shprehur Perez. /Telegrafi/