Site icon Telegrafi

KE dënon Italinë me 3.5 miliardë euro?

Komisioni Evropian është duke shqyrtuar masa disiplinore kundër Italisë për shkak të borxhit publik, e cila mund të rezultojë me një gjobë në vlerë 3.5 miliardë euro, raporton agjencia “Bloomberg”, duke iu referuar një zyrtari të njohur me çështjen.

Ky veprim, i cili pritet të pasohet më 5 qershor si pjesë e procesit të rregullt të monitorimit të buxhetit të Italisë, ka shënuar një përshkallëzim në kontestin e buxhetit ndërmjet Romës dhe Brukselit që tronditi tregun në fund të vitit 2018, vlerëson agjencia me seli në Nju Jork.

Një zyrtar anonim, megjithatë, tha se vendimi ende nuk është finalizuar, ndërsa Ministria e Financave e Italisë nuk deshi të komentojë çështjen.

Sipas rregullave fiskale të BE-së, anëtarët e bllokut duhet të mbajnë deficitin buxhetor nën 3.0 për qind të PBB-së dhe borxhin nën 60 për qind të PBB-së.

Vendet, borxhi i të cilëve tejkalon këtë nivel, janë të detyruar ta ulin gradualisht atë në një ritëm të kënaqshëm.

Borxhi publik i Italisë prej 132 për qind të PBB-së është më shumë se dy herë kufiri i BE-së dhe, sipas KE-së, nuk do të reduktohet me shpejtësi.

Zëvendëskryeministri italian Mateo Salvini la të kuptohet sot se do të injorojë kërkesat e BE-së, kur të miratohet buxheti i ardhshëm i Italisë. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version