Shërbimi Spitalor dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kanë nënshkruar sot një memorandum të bashkëpunimit, i cili ka për qëllim rritjen e llogaridhënies, transparencës dhe qeverisjes së mirë në procesin e prokurimit në institucionet publike në Kosovë.
Në emër të SHSKUK-së, ka nënshkruar drejtori Përgjithshëm, Basri Sejdiu, kurse të KDI-së, drejtori Ismet Kryeziu, të cilët vlerësuan shumë të rëndësishëm fuqizimin e bashkëpunimit të institucioneve publike me sektorin jo-qeveritar.
Sipas tyre, ky bashkëpunim ka për qëllim përforcimin e zbatimit të legjislacionit primar dhe sekondar në fushën e prokurimit publik, si dhe aplikimin e prokurimit elektronik në të gjitha aktivitetet e prokurimit publik.
“Memorandumi i nënshkruar parasheh identifikimin e problemeve në procesin e prokurimit publik përmes shqyrtimit të disa kontratave në faza të ndryshme të prokurimit, ofrimin e rekomandimeve të dala pas procesit të monitorimit të tenderëve, rritjen e përgjegjësisë së autoriteteve kontraktuese për të shmangur praktikat e dëmshme në hartimin e kritereve për tender, rritjen e përgjegjësisë së autoriteteve kontraktuese për rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në menaxhimin e kontratave publike dhe nxitjen e autoriteteve kontraktuese për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies që do të ndikojnë në informimin e qytetarëve në shpenzimet e fondeve publike. SHSKUK do të sigurojë transparencë në procedurat e prokurimit publik në të gjitha fazat, për aq sa lejon Ligji i Prokurimit Publik nr. 04/L-042, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092; Do të ofrojë, po ashtu, qasje n ë dosjet e tenderëve bazuar në ligjin për qasje në dokumente publike dhe përgjegjësitë e këtij memorandumi, qasje për monitorim të kontratave gjatë fazës së ekzekutimit të kontratave/realizimit në teren, gatishmëri për adresim të rekomandimeve nga KDI, të dala nga monitorimi i procesit të prokurimit”, thuhet në komunikatën e SHSKUK./Telegrafi/