Site icon Telegrafi

KDI reagon pas largimit nga puna të zyrtarit të MTI-së: Sinjalizuesit duhet të mbrohen, jo të persekutohen

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka deklaruar se është duke përcjellur me shqetësim zhvillimet e fundit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

“Përmes mediave, është kuptuar se sinjalizuesi publik Ermal Kutllovci, i përfshirë në zbulimin e skandalit lidhur me rezervat shtetërore, është përballur me masa disiplinore – largim nga puna, me arsyetimin se ka shkelur detyrat dhe përgjegjësit brenda institucionit.

Kutllovci, duke shërbyer si zyrtar përgjegjës për cilësinë e naftës dhe produkteve të naftës në Departamentin e Rezervave Shtetërore në MINT ka treguar se në vazhdimësi ka raportuar tek eprorët e tij, përfshirë edhe ministren në detyrë, mbi shkeljet dhe parregullsitë sa i përket furnizimit me rezerva shtetërore”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Lexo po ashtu Largohet nga puna zyrtari i MINT-it, ai e cilëson si vendim politik dhe skandaloz

KDI shton se duke marrë për bazë interesin e lartë publik në lidhje me rastin e keqpërdorimeve me rezerva shtetërore për të cilat janë duke u zhvilluar hetime nga organet përkatëse, është thelbësore që MINT të demonstrojë se vendimi për shkarkimin e Kutllovcit është i bazuar vetëm në shkelje disiplinore dhe nuk vjen si një përgjigje ndëshkuese ndaj aktivitetit të tij si sinjalizues.

“KDI, bënë thirrje që masat e tilla ndëshkuese të mos shqiptohen nga insitucionet ndaj punonjësve që sinjalizojnë mbi keqpërdorimet dhe parregullsitë në vendin e punës, e aq më pak kur të njëjtit raportojnë mbi çështje që prekin interesin publik. Sinjalizuesit në Kosovë kanë mbrojtje të garantuar me ligji nga çdo veprim i dëmshëm që vjen si pasojë e sinjalizimit.

Analiza e fundit e KDI-së e publikuar në dhjetor të 2023, “(Mos)zbatimi i ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve në sektorin ekzekutiv” shpërfaqë që institucionet e qeverisë në përgjithësi nuk ofrojnë infrastrukturë fizike të përshtatshme që do të inkurajonte punëtorët e sektorit publik të sinjalizonjë mbi keqbërjet. Kjo ka qenë një ndër shkaqet kryesore që rastet e sinjalizimit të brendshëm nëpër disa ministri të jenë minimale ose inekzistente”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

Exit mobile version