Telegrafi

KDI me raport për rastet e mëdha të korrupsionit: Ndërhyrje të politikës në punën e gjyqësorit, stërzgjatje të proceseve dhe politika të buta ndëshkuese

Ndërhyrjet e shpeshta të politikës në punën e gjyqësorit, stërzgjatje e procesit gjyqësor dhe politikat e buta ndëshkuese janë tri gjetjet kryesore në raportin e Institutit Demokratik të Kosovës në raportin për rastet e mëdha të korrupsionit në Kosovë.

Në këtë raport thuhet po ashtu se organet e drejtësisë, janë selektive karshi të pandehurve që mund të jenë zyrtarë qeveritar dhe atyre që janë qytetarë të zakonshëm, prandaj edhe korrusioni9 i zyrtarëve publik mbeten të pandëshkuar.

Edhe pse ngritën aktakuza ndaj zyrtarëve e lartë shtetëror, epilogu kryesisht thuhet se është në favor të zyrtarëve të akuzuar.


Prokurori, Besim Kelmendi ka thënë se ka pasur raste kur një person në pozitë të lartë i ka thënë se duhet ta dijë me kë po flet, gjatë kohës sa ishte duke e intervistuar.

Prokuror Besim Kelmendi

“Kam pas raste kur një person shumë i lartë për nga pozita më ka thënë se ti duhesh me ditë me kë po flet. Dhe, përgjigja ime ka qenë, “Po, e di me kë po flas, me të pandehurin filan fisteku, i cili po përgjigjet penalisht për këtë vepër”, tha ai.

Florent Spahija nga KDI ka thënë se është urgjente që gjyqësori të ketë një qasje të re, e cila siç thekson ai mund të bëhet me ndihmën e SHBA-së dhe BE-së.

Florent Spahija-KDI

“Normalisht që gjyqësori duhet të jetë më transparent, ,e llogaridhënës dhe të ngrit integritetin e brendshëm. Çka është më rëndësi është të respektohet kodi i etikës dhe të trajtohen me prioritet lëndët të cilat kanë të bëjnë me korrupsionin ose me rastet e mëdha të korrupsionit”, tha Spahija.

Genc Nimoni nga organizata “Çohu” tha se nga 25 rastet që ata i kanë monitoruar nuk ka ende për asnjë rast vendim të plotfuqishëm që shpallë fajtor ndonjërin nga personat e profileve të larta.

Genc Nimoni – Çohu

“Kemi monitoruar rreth 25 raste të korrupsionit të nivelit të lartë, dhe në këto 25 raste ende nuk kemi ndonjë vendim të plotfuqishëm të gjykatës i cili shpallë fajtor ndonjërën nga profilet e larta për çka janë akuzuar”, thotë Nimoni.

Avokati, Florin Vërtopi tha se para ligjit të gjithë duhet të jenë të barabartë, si ministri, si kryeministri e si qytetari i thjeshtë.

Vettingu në sistemin e drejtësisë sipas KDI-së, e cila në këtë raport ka dhënë edhe rekomandimet e saj, do të ngriste nivelin e respektimit të kodit të etikës dhe integritetin brenda gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Videon me titra serbisht mund ta shihni KËTU.

Ky raport është mundësuar përmes përkrahjes financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e saj është përgjegjësi e KDI-së dhe nuk reflekton medoemos qëndrimet e Bashkimit Evropian. /Telegrafi/