Qytetarët e Kosovës nuk besojnë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të ndikojë në shuarjen e strukturave paralele dhe shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në tërë territorin e Kosovës. Ndërsa, marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, sipas qytetarëve do të ndikojë në përkeqësimin e raporteve ndëretnike.
Këto të dhëna janë bërë të ditura të martën nga Instituti Demokratik i Kosovës, në publikimin rezultateve të sondazhit të tretë për Dialogun Kosovë-Serbi, 6 vite pas (mos) konsolidim të shtetësisë: këndvështrimi i qytetarëve rreth dialogut Kosovë-Serbi të zhvilluar nga 3 deri më 12 mars.
Jeta Krasniqi nga KDI-ja, tha se në bazë të sondazhit, qytetarët mendojnë se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në bazë të marrëveshjes së arritur në bisedime, do të ndikojë në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike.
“KDI ka pyetur se si e shohin ata AKS-në dhe në bazë të gjeturave janë 46.1 për qind e qytetarëve që e shohin që formimi i AKS-së do të përkeqësojë raportet ndëretnike. Ndërsa kemi 38.8 për qind mendojnë se edhe pas themelimit të AKS-së do të mbesin të njëjta”, tha Krasniqi.
Por, sipas saj, janë dy prej çështjeve kryesore për të cilat duhet të merret këndvështrimi i qytetarëve, shuarja e strukturave paralele dhe shtrirja e sovranitetit.
Kjo, meqë në bazë të sondazhit 48 për qind e qytetarëve mendojnë se nuk janë shuar strukturat paralele pas dialogut mes Kosovës e Serbisë.
Ndërsa, sa i përket shtrirjes së sovranitetit, këtë sondazh qytetarët mendojnë se dialogu nuk ka ndikuar fare në shtrirjen e sovranitetit edhe pas 6 vjet të dialogut. 51 për qind e qytetarëve kanë thënë se nuk ka ndikuar dialogu në shtrirjen e sovranitetit, ndërsa vetëm 4 për qind mendojnë se dialogu ka ndikuar.
“Edhe pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ende nuk e ka sovranitetin e shtrirë, legjitim dhe Kosova dhe institucionet e saj nuk janë duke vepruar në tërë territorin e vendit, në veçanti në veri. Ne kemi pyetur qytetarët se si e shohin shtrirjen e sovranitetit pas gjashtë vjet dialogu shohim se janë 51.1 për qind e qytetarëve që vlerësojnë se edhe pas gjashtë vjet dialogu Kosova nuk ka arritur ta shtrijë sovranitetin në veri të vendit”, tha Krasniqi.
Po ashtu, në këtë sondazh qytetarët janë pyetur edhe rreth integrimit të sistemit gjyqësor të veriut në sistemin unitar të Kosovës, në bazë të marrëveshjeve të Brukselit.
Sipas sondazhit 58 për qind e qytetarëve nuk besojnë se gjykatat e veriut nuk do të integrohen sipas marrëveshjes për drejtësi të arritur në Bruksel. Madje, 60 për qind mendojnë se kjo marrëveshje nuk do të jetë e suksesshme.
Krasniqi tha se në bazë të këtij sondazhi ka mungesë të madhe të transparencës në dialog.
Ajo tha se KDI rekomandon institucionet që ndërmarrin hapa për shuarjen e strukturave paralele, ngritjen e transparencës, shtrirja e sovranitetit e tjera.
Sipas KDI-së, ka ardhur koha që dialogu përveç që të riformatohet, të rikonstruktohet, tash të ketë edhe hapa konkret se si do të bëhet. /Telegrafi/