Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shpreh shqetësim lidhur me mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e Kuvendit të Kosovës as në seancën e sotme.
Pesë marrëveshje
Bëhet fjalë për Marrëveshje që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve, për projekte si kredia për përmirësimin e rrjetit të transmetimit, kredia për rindërtim dhe zhvillim për projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, marrëveshja për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master dhe kredia për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike.
Sipas KDI-së, mosmiratimi i tyre përveç që dëmton interesin qytetar rrezikon që ta paraqes Kosovën si partner jo serioz pasi ka marrë zotime dhe po dështon ti zbatojë ato në praktikë, siç është rasti me njërën nga këto marrëveshje, ajo me Mbretërinë e Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.
Duke qenë se miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kërkon 2/3 e votave në Kuvend, nevojitet bashkëpunim i gjerë politik mes pushtetit dhe opozitës.
“Natyrisht që përgjegjësinë kryesore për sigurimin e votave e ka partia në pushtet, e cila duhet të ju prijë përpjekjeve për konsensus. Rrjedhimisht, u kërkojmë subjekteve politike parlamentare që duke vënë në qendër interesin qytetar dhe shtetëror të Kosovës, të gjejnë gjuhën e përbashkët për tu hapur rrugë jetësimit të këtyre marrëveshjeve, duke i miratuar ato në Kuvend sa më parë”, thuhet në reagim.